Artifi: Me komunën e Preshevës do të vazhdojmë aty ku e lamë?
“Liria e vërtetë nuk është asgjë tjetër, përpos drejtësi” – Johann Gottfried Seume (1763-1810)
Të nderuar qytetarë të komunës së Preshevës!
Presheva nëpër vite e decenie, ka përjetuar shumë padrejtësi, mashtrime dhe manipulime politike nga dështakët politik (jo liderë) dhe në këtë mënyrë qytetarëve të rëndomtë të kësaj komune të ndershme, sidomos të rinjëve tanë ua kanë marrë (apo më mirë me thënë: vjedhur) LIRINË, duke krijuar kështu pakënaqësi kolektive në shoqërinë tonë.
Këtë pakënaqësi, këtë krizë politike në vend, e sollën po ata akterë politik që veprojnë tek ne nga vitet e 90-a.
Në momentin kur kalkulimet politike stagnuan për interesat e tyre personale, hoqën dorë nga problemi, ku më herët trumbetuan se do jenë “shpëtimtarët tanë”, dhe prap të njëjtit ia dhanë qeverisë së Beogradit të drejtën, që të vendosin për udhëheqësinë e komunës sonë.
Sot, për shkak të bllokadës institucionale që e shkaktuan këto formacione politike, qeveria e Beogradit vendosi që të formohet Organi i përkohshëm pesë anëtarësh që të udhëheqë me Preshevën, deri në zgjedhjet e ardhshme të parakohëshme. Aty është vendosur që Alternativa për Ndryshim t’i ketë dy anëtarë si subjekt politik me më shumë këshilltarë në Kuvendin komunal, ku dhe kryetari i përkohshëm i këtij Organi të jem unë.
Çdo krizë që eshtë para nesh, në fakt është reprizë e krizave që Presheva i ka përjetuar në të kaluarën, sepse po këta të njejtit i kanë përsëritur po ato gabime.
Këta “politikanë” janë përgjegjës për të gjitha krizat në Luginë, pasi që posedojnë mentalitetin post komunist dhe nuk njohin asgjë tjetër përveç mendjamadhësisë dhe interesit, të cilët nuk e posedojnë ndjenjën e përgjegjësisë dhe të llogaridhënies.
Për atë edhe sot, Preshevën e kanë ngjyrosur me ngjyrë të zezë, ngase çdo gjë që është në të normale – e kanë mallkuar.
Neve e lamë pushtetin me kokën lartë, pasi që nuk bëmë kompromise me të keqen.
Ata sot e lanë pushtetin kokën ulur, pasi që dështuan që të përballen me problemet, që t’i zgjidhin ato, fatkeqësisht i thelluan edhe më shumë ato.
Andaj, si kryetar i përkohshëm i komunës së Preshevës, do të vazhdoj aty ku e lamë, të avokoj idenë e një Presheve ndryshe, e liruar nga dyftyrësia, gënjeshtrat dhe korrupcioni.
Për një Preshevë, në të cilën njerëzit do të qëndrojnë në të, e jo t’a braktisin atë.
#NDRYSHIMINUKNDALET