Ekskluzive: Administrata e Donald Trumpit mbështet ndarjen e Kosovës
Gazeta Express, përmes burimeve diplomatike, ka mësuar se Administrata e Donald Trumpit i ka dhënë dritën e gjelbër opsionit të ndarjes së Kosovës. Sipas të njëjtit burim, ka mundësi që Trump për këtë gjë është marrë vesh me Presidentin rus, Vladimir Putin, në samitin e Helsinkit.
Në fund të këtij viti mbushen 26 vjet, saktësisht për Krishtlindje, kur Presidenti George Bush, i vjetri, e kishte kërcënuar Serbinë që të mos niste luftë në Kosovë. Ky njihet si Kërcënimi i Krishtlindjeve. Secili president amerikan, pas tij, kur ka qenë në pyetje e ardhmja e Kosovës, ka qenë më i prerë se sa paraardhësi. Të gjithë këta, me angazhimin e tyre, bënë që Kosova në vitin 2008 të shpallë pavarësinë e saj, për t’u njohur më pas nga më shumë se gjysma e botës. Të gjithë këta kanë qenë, përveç tjerash, në unison të plotë edhe sa i përket kufijve të Kosovës: ata nuk guxojnë të preken, nuk ka ndarje të Kosovës.
Donald Trump, Presidenti jokonvencional amerikan, ekipi i tij, nuk janë dakord me shumëçka çfarë kanë bërë paraardhësit e tij, si brenda ashtu edhe jashtë Amerikës, e sipas të gjitha gjasave as për Kosovën.
Gazeta Express, përmes burimeve të sigurta diplomatike, ka mësuar se Administrata e Donald Trumpit, ata që merren me politikë të jashtme, janë pajtuar që Kosova t’i japë territor Serbisë në këmbim të njohjes së saj.
“Ka mundësi që për këtë çështje ka pasur edhe një bisedë në mes Trumpit dhe Putinit në Helsniki”, ka thënë burimi i Gazetës Express, duke shtuar se ky ndryshim radikal në administratën e Donald Trumpit po ndodh pasiqë tash nga aty është larguar ish-këshilltari për siguri kombëtare i Trumpit, H.R. McMaster, dhe pas ardhjes në këtë detyrë të John Boltonit, i njohur për qasjen e tij anti-Kosovë, gjatë kohës kur ka qenë ambasador i SHBA’së në OKB.
“Ka mundësi që do të flitet për shkëmbim të territoreve. Mirëpo përfundimi i gjithë kësaj drame është se Kosova, ajo çfarë do të mbetet prej saj, do të mund të konsiderohet si një provincë e Shqipërisë”, ka thënë ky burim.
Prej kur është shpërbërë Jugosllavia, bashkësia ndërkombëtare vazhdimisht i ka refuzuar idetë për ndarje të territoreve, përtej kufijve që kanë qenë në kuadër të Jugosllavisë. Edhe përkundër një lufte të tmerrshme në Bosnje dhe Hercegovinë, në paqen e arritur në Dejton, palët janë detyruar që të vazhdojnë të jetojnë në një shtet të përbashkët. E njëjta logjikë është ndjekur edhe për Maqedoninë, e edhe për Kroacinë. Përkundër faktit që në këto republika ka pasur pakica etnike, bashkësia ndërkombëtare nuk i ka përkrahur ndarjet. Deri më tash, sa herë është biseduar për ndarje, është thënë që “kjo e hapë Kutinë e Pandorës”, metaforë për të këqijat që vijnë pas hapjes së saj, sipas mitologjisë greke.
Tash askush nuk e di më se çfarë do të ndodhë, nëse preken kufijtë e Kosovës. Çfarë do të ndodhë me Maqedoninë dhe Bosnjen?
Ajo çfarë dihet është se Administrata e Donald Trumpit është në një mendje me Rusinë për ndarjen e vendit tonë. /Express/