Oshëtima, dridhje, frikë, goditje e fortë në objektin e shtëpisë dhe një veturë e përmbysur në oborr. Ishin këto gjërat që zgjuan sot familjen Terziçi nga Saraji i Shkupit.
Një makinë me targa të Serbisë kishte humbur kontrollin në autostradë dhe ka përfunduar në oborrin e shtëpisë së kësaj familjeje rreth orës gjashtë të mëngjesit. Bëhet fjalë për një grua 36-vjeçare e cila teksa po ngiste makinën ka humbur kontrollin dhe është gjendur në oborrin e kësaj shtëpie që ndodhet në afërsi të autostradës. Sipas informatave të dëshmitarëve ajo ka qenë e vetme në veturë, ndërkaq dëshmitarët thonë se në veturë ka pasur një karrocë për fëmijë. Megjithatë, për shkak të shokut të përjetuar, gruaja nuk ka arritur të konfirmojë nëse me të ka pasur ndonjë fëmijë ose jo.
Kryefamiljari Osman Terziçi rrëfen se si ka ndodhur e gjithë ngjarja dhe sa frikë u ka shkaktuar atij dhe familjes së tij.