Në shtator vendoset që Serbia të marrë Zubin Potokun, Zveçanin, Leposaviqin dhe Mitrovicën Veriore, ndërsa Kosova ta marrë Preshevën
Kufijtë ‘vizatohen’ në shtator
Zyrtarët më të lartë shtetërorë të Serbisë, presidenti Aleksandër Vuçiq dhe shefi i diplomacisë, Ivica Daçiq po paralajmërojnë se gjatë muajit të ardhshëm (në shtator) do të dalin me një propozim konkret për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, madje ata nuk e fshehin synimin që Kosovën ta ndajnë nëpërmjet vijave etnike, mes shqiptarëve dhe serbëve.
Në anën tjetër presidenti Hashim Thaçi ka disa javë që deklaron vazhdimisht se Lugina e Preshevës duhet të bashkohet me Kosovën, përderisa Serbia nuk do të mundë t’i marrë komunat veriore të Kosovës.
Por një raport prej 90 faqesh, i botuar dje nga gazeta “Zëri”, i hartuar nga gjashtë ekspertë serbë dhe i përkrahur nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur në Beograd, të cilin e udhëheq George Soros, paraqet skenarin për shkëmbimin e territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë, ku kësaj të fundit i propozohet t’i marrë katër komunat veriore, Zubin Potokun, Zveçanin, Leposaviqin dhe Mitrovicën Veriore, ndërsa Kosova ta marrë Preshevën, por pa Bujanocin dhe pa Medvegjën.