Lajme

Marrëveshja me Serbinë nuk është jetike për Kosovën

Islam Lauka:

Marrëveshja me Serbinë nuk është jetike për Kosovën

Presidenti Thaçi dhe ithtarët e korrigjimit të kufijve a shkëmbimit të territoreve me Serbinë po e paraqesin nënshkrimin e marrëveshjes me tё si çështje jete a vdekjeje për Kosovën. E konceptuar si e tillë, për ta, ajo përjashton çdo diskutim për çmimin e saj. Edhe me çmimin e rëndë të dorëzimit të një pjese të territorit ose të dhënies së pushtetit ekzekutiv Bashkësisë së Komunave Serbe (BKS). Në rast të kundërt, paralajmërojnë ata, vazhdimi i statukuosë do ta bëjë Kosovën një vend të izoluar, jashtë OKB-së, jashtë BE-së dhe NATO-s.

Në këtë logjikë, veten e tyre e rreshtojnë midis forcave të përgjegjshme që, nëpërmjet marrëveshjes me Beogradin, duan ta shpëtojnë Kosovën, ndërsa të gjithë kundërshtarët e tezave të tyre, si të papërgjegjshëm dhe varrëmihës të vendit të tyre.

Në një postim të tij të ditëve të fundit, Presidenti Hashim Thaçi vlerësoi si të vetmen të keqe të Kosovës, ata që nuk duan marrëveshje paqësore me Serbinë. Në këtë kategori ai futi opozitën dhe “disa zëra të vetmuar të shoqërisë civile, të cilët nuk nguroi t’i akuzojë për “propagandë të paskrupullte” kundër aleatëve tanë ndërkombëtarë që, sipas tij, mbështesin fuqimisht Kosovën për arritjen e marrëveshjes paqësore me Serbinë, qoftë edhe nëpërmjet shkëmbimit të territoreve.

Po në këtë postim, ai ripërsëriti idenë e referendumit popullor, në të cilin, qytetarët duhet të zgjedhin a janë për marrëveshje paqësore me Serbinë, që i siguron Kosovës anëtarësim në BE, NATO dhe OKB, apo duan të jetojnë të izoluar dhe në hasmëri me shtetet fqinje.
Pasi lexon këto vlerësime e konsiderata të Presidentit të vendit, pyetja e parë që kërkon përgjigjje është: vërtet, nënshkrimi i marrëveshjes me Serbinë është interes jetik, pra çështje jete a vdekjeje për Kosovën ? Dhe më tej, a ia vlen që ajo të nënshkruhet me çdo lloj çmimi?

Në gjykimin tim, pavarësisht rëndësisë së saj aktuale, marëveshja Kosovë – Serbi nuk mund të klasifikohet si interes jetik për Kosovën. Natyrisht , ajo përbën interes të rëndësishëm dhe do të ishte mirë që të arrihej nënshkrimi i saj, por nuk është e atij karakteri, sa të thuhet që pa të, Kosova nuk merr dot frymë. Siç ka jetuar dhjetë vjetë pa marrëveshje përfundimtare me Serbinë, ajo mund të vazhdojë të jetojë edhe vite të tjera, pa të. Të tjera janë interesat jetike të Kosovës, si siguria kombëtare, mbrojtja e territorit, e popullsisë, e rendit kushtetues, ngritja e mirëqenies së popullit, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të orgranizuar, marrëdhëniet me Shqipërinë, partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Europian dhe NATO-n, etj. Duke mos qenë jetike, është i pathemeltë argumenti se marrëveshja me Serbinë duhet të nënshkruhet me çdo lloj çmimi.

Pyetja e dytë që kërkon përgjigje është: vërtetë, vazhdimi i statukuosë së tanishme do të kishte pasoja kaq fatale për Kosovën si izolimi, mosanëtarsimi në OKB, BE dhe NATO?

Nuk është hera e parë që argumenti i statukuosë shfrytëzohet për të motivuar vendimmarrjen. Në rastin e Kosovës ai është shfrytëzuar nga Presidenti Ahtisari, gjatë procesit të statusit. Me të drejtë , ai argumentoi se nuk mund të vazhdohej statukuoja e atëhershme, se ishin shterrur të gjitha mundësitë për gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme midis palëve, se vazhdimi i mëtejshëm i bisedimeve Kosovë – Serbi për statusin, ishte pa kuptim dhe se, në këto kushte, pavarësimi i saj ishte zgjidhja më e drejtë dhe më e qëndrueshme për Kosovën, Serbinë dhe rajonin.

Statukuoja e sotme është e re, cilësisht e ndryshme nga ajo për të cilën fliste Ahtisari. Sot, Kosova e pavarur është një realitet i pamohueshëm, i njohur nga shumica e shteteve të botës dhe i legjitimuar nga mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë , sipas të cilit, Deklarata e Pavarësisë nuk është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar. Ndryshe nga atëherë, nuk janë shterrur të gjitha mundësitë për marrëveshje me Serbinë dhe vazhdimi i bisedimeve me të, nuk është pa kuptim. Por këto bisedime duhet konceptuar si të barabarta, midis dy shteteve të pavarura dhe sovrane. Dhe përfundimi i tyre duhet të jetë njohja e ndërsjellë, brenda kufijve ekzistues, e fiksuar kjo në marrëveshje, juridikisht të detyrushme. Nëse Serbia nuk e pranon këtë kusht, por kërkon të na imponojë kushtet e saj, marrjen e territorit në veri të lumit Ibër, ose dhënien e kompetencave ekzekutive BKS-së, atëherë, sipas mendimit tim, është më mirë vazhdimi i statukuosë së tanishme, se sa ndryshimi i saj në favor të Serbisë .

Janë të paqëndrueshme argumentet e mbështetësve të tezës së shkëmbimit të territoreve, se marrëveshja me Serbinë është çelësi magjik për zgjidhjen e të gjitha problemeve të Kosovës, përfshirë anëtarësimin në OKB. Ata duhet ta dijnë që anëtarsimi në këtë organizatë nuk jep asnjë garanci për shtet të konsoliduar dhe funksionues. Nuk janë të pakta shtetet anëtare të OKB-së që klasifikohen si të dështuara. Ashtu siç ka plot raste që shtete, për periudha relativisht të gjata, jashtë OKB-së, kanë njohur nivele të larta zhvillimi (Austria, Zvicra, Kina).
Ka shumë të ngjarë që një Kosovë me ulëse në OKB, por pa veriun e saj, ose me pushtet ekzekutiv të BKS-së të përfundojë në listën e shteteve të dështuara.

Pyetja e tretë që kërkon përgjigje është: vërtet, opozita dhe zërat e shoqërisë civile janë kundër marrëveshjes paqësore me Serbinë?

Unë jam njëri ndër zërat e shoqërisë civile që kam kundërshtuar hapur tezën e futjes, në axhendën e bisedimeve Kosovë – Serbi, të shkëmbimeve territoriale. Këtë e kam bërë dhe e bëj, jo se jam kundër marrëveshjes me Serbinë, por jam kundër çmimit të rëndë që disa janë të gatshëm ta paguajnë për nënshkrimin e saj. Shkurt, qëndrimi im është ky: po marrëveshjes paqësore më Serbinë, jo shkëmbimit të territoreve dhe pushtetit ekzekutiv të BKS-së. Pa pretenduar të bëj avokatin e opozitës, jam i bindur që edhe LDK dhe Vetëvendosje bazohen në këtë koncept. Ashtu siç jam i bindur që nga të njëjtat pozita niset edhe Kryeministri Haradinaj dhe pjesetarë të tjerë të koalicionit qeverisës.

Pyetja tjetër që kërkon përgjigjje është: vërtet, partnerët strategjikë të Kosovës e mbështesin nënshkrimin e marrëveshjes me Serbinë, me çdo çmim?

Ajo që është thënë nga Këshilltari i Presidentit Tramp për siguri kombëtare, Xhon Bolton, është që Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk i përjashtojnë korrigjimet territoriale. Në këtë linjë është shprehur edhe ndonjë zyrtar i lartë europian.

Që ka një zhvendosje në qëndrimet e disa prej aktorëve vendimmarrës kryesorë, ky është fakt i pranuar gjërësisht, pasojë kjo e zhvillimeve të brendshme por edhe e ndryshimit të situatës ndërkombëtare. Megjithatë, nuk duhet rënë pre e “ kuislingut rus”, Ivica Daciq, që pretendon se tani Amerika dhe Europa, pa folur për Rusinë, mbështesin qëndrimet serbe. E vërteta është se Serbia nuk e ka të sigurtë as mbështetjen ruse, le më atë të SHBA-së dhe BE-së. Në konferencën e shtypit, me 21 Gusht 2018 , në Moskë, pikërisht në prani të Ministrit të Jashtëm të Serbisë, Daciq, homologu i tij rus, Ministri Lavrov, deklaroi se “Moska mbështet ato veprime të Beogradit që çojnë në realizimin e rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së” , pra jo çdo veprim dhe çdo marrëveshje të Serbisë, aq më tepër njohje të Kosovës, qoftë edhe mbi bazen e shkëmbimeve territoriale , që do t`i hiqnin Kremlinit një nga kartat më të fuqishme të tij për ndikim e prani në Serbi dhe Ballkan, kundrejt njё kostoje shumё tё ulёt.

Mospërjashtimi i korrigjimeve territoriale do të thotë që, midis elementeve të axhendës së bisedimeve Kosovë – Serbi, mund të jenë edhe ato, por jo ekskluzivisht ato, duke përjashtuar gjithçka tjetër. Veç kësaj, mospërjashtimi i korigjimeve territoriale, nuk duhet marrë si udhëzim a direktivë kategorike nga aleatët, siç po paraqitet nga Presidenti Thaçi. Për atë vendosin palët, në varësi të interesave të tyre. Sot, interesi i Kosovës është që të mos ngatërrohet me probleme territori me Serbinë. Detyra e saj kombëtare dhe shtetërore është ruajtja e paprekshmërisë territoriale, brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht.
Pyetja e radhës që kërkon përgjigje është: a mund të zgjidhet problemi i marrëveshjes me Serbinë nëpërmjet referendumit popullor?

Veç Thaçit, këtë tezë e mbron edhe Presidenti Vuçiç. Referendumi, si koncept, është demokratik, por, vitet e fundit, është instrumentalizuar edhe nga autokratë, si Vladimir Putin. Ai e shfytëzoi referendumin për legjitimimin e aneksimit të Krimesë. Në takimin me Presidentin Tramp në Helsinki, ai foli për mundësinë e organizimit të referendumit në republikat e vetëshpallura të Ukrahinës Lindore, Llugansk dhe Donjeck. Kërcënimit të Presidentit të Republikës Serbe të Bosnjës, Milorad Dodik, lidhur me organizimin e refendumit për shkëputjen e këtij entiteti nga Bosnja, i jep mbështetje politike, pikërisht, Moska. Duke marrë në konsideratë rreziqet e manipulimit të procedurave dhe rezultateve të referendumit ose, të instrumentalizimit të tij, disa shtete e kanë të ndaluar me kushtetutë që të zhvillojnë referendume për çështje të territorit.

Në rastin e Kosovës, manipulimi me referendumin duket që në pyetjet e hartuara nga Presidenti Thaçi. Mënyra se si janë formuluar ato nuk lënë pikë dyshimi, që, në rast të zhvillimit, vota popullore do të jetë pro frymëzuesit dhe organizuesit të tij, Thaçit. Kush është ai që voton kundër marrëveshjes paqësore me Serbinë? Kush është ai që dëshiron të jetojë i izoluar dhe në hasmëri me fqinjët? Formulimi i pyetjeve, dinakerisht, orienton paraprakisht dhe me qëllim edhe përgjigjen pozitive ndaj tyre. Ky nuk do të ishte referendum i vërtetë, por, siç i pëlqen Presidentit Thaçi të thotë, nën ndikimin e homologut të tij amerikan, Donald Tramp, një “fake referendum”. Që ai të jetë i vërtetë, pyetjet duhet të shtrohen ndryshe: a jeni dakord që, në shkëmbim të një pjese të Luginës së Preshevës, t`i jepet Serbisë territori i Kosovës në veri të Ibrit? A jeni dakord që BKS-së t`i jepet pushtet ekzekutiv? Nuk ka asnjë dyshim që përgjigja e sovranit ndaj këtyre pyetjeve do të ishte negative. Në këtë kuptim, kur në të dy rastet përgjigja dihet që më parë, përse u dashka harxhuar kohë dhe para për referendum popullor? Kësaj i thonë të përpiqesh të shpërthesh një derë të hapur. Le që Kosovës i mungon edhe ligji për organizimin e referendumit.

Gjykoj se Kosova nuk ka nevojë të kërkojë instrumentë të tjerë për zgjidhjen e problemeve me Serbinë. Mjafton të shfrytëzojë me përgjegjësi, seriozitet dhe efikasitet instrumentin e dialogut. Përfaqësuesit e lartë të Kosovës që i drejtojnë këto bisedime duhet të veprojnë si shtetarë që shqetësohen për interesat themelore të vendit dhe të kombit, si dhe për fatin e brezave të sotshëm, por edhe të ardhshëm dhe jo si partiakë që mendojnë për mandatin politik të radhës, ose për interesa të ngushta individuale a të tarafit të tyre.

Opozita dhe shoqëria civile janë plotësisht në të drejtën e tyre për kundërshtimin me vendosmëri të çdo përpjekjeje që cënon interesat jetike të Kosovës, si territori dhe funksionaliteti i shtetit. Në këtë kuadër, është e mirëseardhur rezoluta e Kuvendit të Kosovës, që ndalon, në mënyrë eksplicite, futjen e problemeve territoriale në axhendën e bisedimeve me Serbinë. Ashtu siç janë të justifikueshme edhe protestat e shoqërisë civile.
Presidenti Thaçi duhet të çlirohet nga “sindroma hubris” dhe të bazohet në vendimmarrjen përfshirëse dhe jo përjashtuese. Ai duhet të marrë në konsideratë reagimet, mendimet dhe sugjerimet e opozitës, të shoqërisë civile, si dhe të pjesëtarëve të koalicionit qeveritar.

Askush nuk i vë në diskutim objektivat strategjike të Kosovës- anëtarësimin në BE, NATO dhe OKB. Ҫështja është si do të shkohet atje, çfarë taktike do të ndjekim për realizimin e tyre. Taktika e zgjedhur nga Presidenti Thaçi dhe mbështetësit e tij që objektivat tona të realizohen nëpërmjet nënshkrimit, me çdo kusht dhe çmim, të marrëveshjes me Serbinë, është e gabuar dhe, në fund të fundit, kompromenton rëndë vetë objektivat strategjike të Kosovës. Duke qenë e tillë, është e domosdoshme që prej saj të hiqet dorë, menjëherë, duke filluar që nga takimi i radhës midis Presidentëve Thaçi- Vuçiç, me 7 shtator 2018.

Related Articles

Back to top button