Themelohet Fondi për zhvillim i fshatit Norçë
Themelohet Fondi për zhvillim i fshatit Norçë
Të shtunën më datë 29 shtator 2018 me fillim në ora 17:00, ashtu siç ka qenë e paralajmëruar, u mbajt mbledhja e parë e Kuvendit themelues për themelimin e Fondit për zhvillim të fshatit Norçë.
Në mbledhje morrën pjesë anëtarët e Këshillit inicues në Norçë dhe diasporë, kryetari i BL Norçë dhe bashkatdhetarët të shumtë që jetojnë dhe punojnë në shtetet e Evropës Perëndimore.
Nga të gjithë të pranishmit u cilësua si një akt historik për fshatin Norçë dhe u vërejt entuziazëm dhe këmbëngulje dhe u themelua Fondi për zhvillim të fshatit Norçë.
Në këtë mbledhje u zgjodhën dhe anëtarët e Kryesisë së Fondit, si dhe përfaqësuesit për çdo shtet ku jetojnë dhe punojnë bashkatdhetarët tanë.
U përcaktua anëtarësia e obligueshme për çdo bashkatdhetar familjar në shumë vjetore prej 120€, shumë të cilën duhet t’a paguajnë drejtëpërdrejtë përmes kontos, ndërsa kontributet vullnetare shtesë, çdonjëri mund t’i dhurojë sipas dëshirës dhe mundësive personale.
Pagesa e kontributit do të fillojë prej vitit 2018, sapo të krijohen kushtet teknike dhe administrative, pas regjistrimit të Fondit.
Selia e Fondit do të jetë në Zvicër, me strukturat e saj në çdo shtet ku jetojnë dhe punojnë bashkatdhetarët tanë.
Në vijim po ju paraqesim listën e bashkatdhetarëve tanë, të cilët u zgjodhën në Kryesinë e Fondit, gjegjësisht përfaqësues për shtetet e tyre ku ata veprojnë.
1. Për Gjermani u zgjodhën Rami Ramadani dhe Blerim Ahmeti
2. Për Zvicër u zgjodhën: Orhan Musliu, Amir Hyseni dhe Gëzim Saqipi.
3. Për Austri u zgjodhën: Qani Azizi dhe Besnik Nuhiu
4. Për Francë u zgjodhën: Bekim Rexhepi dhe Irfan Qazimi
5. Për Belgjikë u zgjodhën: Bekim Sulejmani dhe Veprim Hyseni.
U morr vendim që Fondi të ketë faqen e tij në Facebook, përmes të cilës do të promovohen aktivitetet e Fondit, si dhe lajmërimet për çdo aktivitet.
Kryesia e Fondit do të jetë ngushtë e lidhur me Këshillin e BL Norçë dhe Këshillin e xhamisë së fshatit, me qëllim të koordinimit dhe sinkronizimit të aktiviteteve të këtyre institucioneve, me synimin e arritjes së rezultateve sa më të mira dhe më efektive në terren.
Për çdo aktivitet të BL Norçë, që kërkon mbështetjen e Fondit për zhvillim, Këshilli i BL dhe xhamisë së fshatit Norçë do të aplikojnë me projekt-propozime me shkrim, të cilët i shqyrton Kryesia e Fondit dhe pastaj merr vendim për aprovimin e tyre, apo jo.
Mbledhja u mbajt në qytetin e Puchheim-it afër Mynhenit në Gjermani, në një atmosferë vëllazërore, përkatësisht në ambientet e kompanisë së Rahmi Ramadanit, të cilin e falënderojmë për ndihmën logjistike të cilën e ofroi gjatë organizimit të gjithë këtij Kuvendi.
I falënderojmë të gjithë bashkatdhetarët e fshatit Norçë të cilët iu përgjigjën ftesës dhe morrën pjesë në mledhjen e parë të Kuvendit të themelimit të Fondit, duke uruar për një nismë të mbarë të punës së Fondit dhe suksese sa më të mëdha në punën e tij, zhvillimin e fshatit Norçë si një fshat evropian.
Urime!
Me respekt,
Kryesia e Fondit për zhvillim të fshatit Norçë
Këshilli i BL Norçë