Lajme

Kryetari i KNSH-së, Ragmi Mustafa uron qytetarët me rastin e ditës së flamurit

Të nderuar qytetarë, Të respektuar bashkëkombas,

Serbia është sot e vetmja republikë ish-jugosllave ku banon një pakicë kombëtare shqiptare që i ndalon me ligj simbolet kombëtare shqiptare.

Po të njëjtat simbole që lejoheshin në sistemin monist jugosllav para rreth tridhjetë vitesh, ndalohen sot në Serbinë e cila pretendon vlera demokratike evropiane.

Si reagim i kësaj shtypje, pothuajse çdo vit janë organizuar forma të ndryshme të protestës në Luginën e Preshevës, për ta fituar këtë të drejtë elementare. Ato kërkesa legjitime janë shpërfillur vazhdimisht nga Beogradi zyrtar, në emër të asaj se këto simbole janë identike me ato të një shteti tjetër, në këtë rast me atë të Republikës së Shqipërisë. Ndryshe nga shtetet e tjera në rajon, ky argument po përdoret vetëm nga Serbia shtetërore. E njëjta që i do simbolet e veta kombëtare gjithandej në rajon, e veçanërisht në Kosovë dhe në Bosnje.

Qeveritë respektive të Serbisë vazhdojnë të trumbetojnë se po respektojnë të drejtat e shqiptarëve që jetojnë në Serbi. Por, pikërisht ndalimi ligjor i përdorimit të simbolit kombëtar nga autoritetet shtetërore dëshmon diskriminimin dhe shtypjen e shtetit ndaj diversitetit, të ndryshmes, asaj që nuk është serbe.

Edhe sot, jo pak shqiptarë të Luginës nuk mund të jetojnë në vendlindje për shkak të ngritjes së flamurit kombëtar shqiptar. Shumë të tjerë përballen me procese gjyqësore. Kjo politikë në emër të shtetit ligjor është në fakt politikë e dëbimit të tjetrit.

Fakti se në asnjë 28 nëntor nuk ka pasur tensione midis qytetarëve të përkatësive të ndryshme etnike reflekton se simbolet kombëtare shqiptare ju pengojnë mbi gjithash autoriteteve shtetërore, e jo qytetarëve serbë.

Vetë ndalimi me ligj i flamurit kombëtar shqiptar është njollosje e tij nga shteti. Nuk i takon shtetit t’i përzgjedhë veçoritë identitare të bashkësive të ndryshme etnike/kombëtare. Ndalimi i tyre flet për karakterin demokratik të vetë shtetit, një shteti ku nuk ka të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët, në shpërputhje edhe me konventat për të drejtat e njeriut dhe të minoriteteteve, të nënshkruara nga vetë ai.

Qeverisja e re e Këshillit Kombëtar Shqiptar do ta vazhdojë betejën politike dhe juridike për legalizimin e simboleve kombëtare shqiptare. Simbolet tona. Pa ndryshime. Pa dallime. Simbolet kombëtare nuk duhen ndryshuar! Ligjet diskriminuese duhen ndryshuar! Flamuri kombëtar shqiptar do të valojë në Luginën e Preshevës!

Gjithnjë, gjithmonë, përgjithmonë!

Urime 28 nëntori – Dita e Flamurit!

Related Articles

Back to top button