Lajme

Ministria Jashtme e Shqipërisë nuk kthen përgjigje për abetaren shqipe në Luginën e Preshevës

Viti shkollor 2018-2019 që nisi në shtator, filloi pa libra në shqip për shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës në Serbi. Abetarja shqipe për klasat e para në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë ka qenë gjithmonë një temë për të cilën është folur dhe premtuar si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri.

Për këtë arsye, në 19 dhjetor të vitit 2018, “Faktoje” ka dërguar në mënyrë elektronike në adresë të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë një kërkesë për informacion për të pyetur se çfarë po bëhet për abetaren shqipe në Luginën e Preshevës.

Teksa jemi në mes të muajit janar, asnjë përgjigje nuk ka ardhur nga kjo ministri në adresën tonë. Ministria në fjalë ka tejkaluar çdo lloj afati zyrtar që përcaktohet në Ligjin për të Drejtën e Informimit.

Ky ligj i vitit 2014 thekson se institucioni që merr një kërkesë për informacion nga çdo qytetar apo gazetar duhet të kthejë përgjigje brenda 10 ditëve punë.

Para 5 ditësh, “Faktoje” i rikujtoi me një tjetër e-mail ministrisë që po vonohet me përgjigjen, por ende heshtje.

Meqë ministria nuk ka kthyer përgjigje teksa po bëhet gati një muaj nga dërgimi i kërkesës, “Faktoje” bëri një ankesë për institucionin në fjalë në drejtim të Komisionerit për të Drejtën e Informimit.

Ajo që dihet është se ende nuk ka informacion nëse të paktën vitin e ardhshëm shkollor kjo abetare do të mundësohet nga Kosova apo Shqipëria të cilat mendohet se në një bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit të Serbisë do të bëjnë që fëmijët shqiptarë në Luginë do të mësojnë ABC-në në gjuhën amtare.

Gjithësesi, “Faktoje” do të vazhdojë të këmbëngulë që ta marrë këtë informacion nga ministria.

Related Articles

Back to top button