Shqiptarët që punojnë në policinë e Zvicrës mund të mbesin pa punë
Partia Popullore Zvicerane (SVP) po nis një iniciativë parlamentare për të përjashtuar shtetasit e dyfishtë nga Policia.
Pas debatit rreth simbolit të shqiponjës me futbollistët shqiptarë, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, dhe disa iniciativave tjera, tani SVP kërkon që shtetasit me nënshtetësi të dyfishtë të largohen nga policia, shkruajnë mediat zvicerane, përcjell albinfo.ch.
Sipas kësaj partie, qytetarët zviceranë me shtetësi të dyfishtë nuk duhet të lejohen të punojnë si oficerë policie. SVP Zurich ka paraqitur një projektligj të tillë në Këshillin Kantonal.
Sipas kësaj partie, kush dëshiron të jetë oficer policie duhet të ketë vetëm pasaportën zvicerane, derisa ata me dy nënshtetësi të përjashtohen.
Nëse kjo realizohet edhe pse është e vështirë, atëherë 1.5 milionë qytetarë me nënshtetësi të dyfishtë do të prekeshin nga dëshira e tyre për t’u bërë polic.
Të shqetësuar janë policët me nënshtetësi të dyfishtë nga Shqipëria, Algjeria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Serbia, Sri Lanka dhe Turqia.
SVP filloi nismën e saj pasi një oficer policie në Bazel u dyshua për veprimtari spiunazhi për shërbimin e inteligjencës turke. Megjithatë, dyshimi nuk mundi të vërtetohej dhe akuzat u hodhën poshtë.