Komuna e Preshevës përfiton 2.4 milion dinarë për inovacion dhe zhvillim teknologjik
Komuna e Preshevës përfiton 2.4 milion dinarë nga Kabineti i Ministrit pa portofol i ngarkuar për inovacion dhe zhvillim teknologjik
Projekti “Inovacioni në vepër” ka për qëllim ofrimin e ndihmës direkte grave ndërmarrëse dhe të papunësuara në territorin e Komunës së Preshevës. Ndihma do t’u ofrohet përmes edukimit, kryesisht trajnimeve por edhe përmes ndihmës së drejtëpërdrejtë financiare. Ky projekt do të kontribuojë në zgjidhjen e problemit të mungësës së mjeteve financiare dhe njohurive adekuate për inicimin dhe zhvillimin e bizneseve, si dhe përmes ngritjes së konkurrencës përmes inovacionit.
Grupin e synuar të projektit e përbëjnë gratë e papunësuara dhe gratë pronare të ndërmarrjeve dhe subjekteve ekonomike në territorin e Komunës së Preshevës.
Nëpërmjet këtij projekti, 15 femra do të përfitojnë trajnim njëditor me temën Hyrje në inovacion, sipas programit të Agjencionit për zhvillim të Serbisë dhe në këtë mënyrë do të përfitojnë njohuri bazë mbi inovacionin dhe rëndësinë e inovacionit për ndërmarrjet e tyre, ndërsa 10 prej tyre do të përfitojnë grante në shumë prej 240.000 dinarësh, të cilat do t’u mundësojnë të inkuadrojnë inovacionin në zhvillimin e bizneseve të tyre.
Duke konsideruar shkallën e ulët të grave ndërmarrëse në komunën e Preshevës, realizimi i këtij projekti do të ketë një ndikim direkt në rritjen e punësimit të grave, si dhe përmirësimin e mirëqenies së tyre sociale.
Për detaje më të hollësishme rreth realizimit të aktiviteteve të këtij projekti, do të njoftoheni në vazhdimësi.