Hoxhaj: Do t’i pajisim shqiptarët e Luginës me pasaporta të Kosovës
Ish-zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj ka takuar kryetarin e Preshevës, Shqiprim Arifin. Hoxhaj përmes Facebookut ka njoftuar se ka diskutuar me të parin e Preshevës për sfidat me të cilat përballen qytetarët e Luginës së Preshevës.
Hoxhaj ka shkruar se qeveria e re e udhëhequr nga PDK-ja do të luftojë fushatën e egër të Serbisë ndaj shqiptarëve të Luginës.
“Qeveria e re e udhëhequr nga PDK do të luftojë me të gjitha rrugët diplomatike fushatat e egra të Serbisë ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës, përfshirë atë të fshirjes së adresave”, ka shkruar Hoxhaj.
Ai ka thënë se PDK-ja do të lehtësojë pajisjen me pasaporta për shqiptarët e kësaj ane.
“ PDK do të angazhohet edhe për lehtësimin e procedurave të pajisjes me pasaporta të Kosovës për shqiptarët e Luginës për ta kultivuar një lidhje edhe më të fortë me Kosovën”, ka shkruar Hoxhaj.