Teatri i Kumanovës sonte në Preshevë me shfaqjen “As andej, as këndej”
Sonte , në natën e dytë të Festivalit “Ditët e Komedisë Shqiptare” – Presheva 2019 , do të jetë Teatri i Kumanovës , me komedinë : “As andej, as këndej” në regji të Kastriot Abdylit. Kjo shfaqje është një dramë e përshtatur që përshkruan realitetin dhe përditshmërinë tonë.
Shfaqja fillon nga : 19:30h, në sallën e madhe të Shtëpisë së Kulturës ” Abdulla Krashnica ” në Preshevë, dhe hyrja është 150 dinarë.
“Në këtë shfaqje pasqyrohet realiteti i ditëve tona, ku shumë persona për shkaqe sociale marrin rrugën e migrimit për një jetë më të mirë, për të filluar jetën nga fillimi. Kjo është edhe qëllimii i Ilirit që në rrugën e tij drejt Amerikës takohet me Bekimin i cili për dallim nga Iliri pas 18 vitesh në migrim vendos të kthehet në Maqedoni po për ta filluar jetën nga fillimi pas problemeve familjare në Amerikë. Ballafaqimi i Ilirit me Bekimin jo vetëm që sjell situata komike por edhe tensione dhe dramatike.”, ka theksuar regjisori Kastriot Abdyli. Në këtë shfaqje luajnë aktorët kumanovarë: Musa Isufi, Ismail Kasumi, Taulant Destani, Faton Ibrahimi, etj. Regjisori Kastriot Abdyli së fundi me filmin ” Kthimi” u prezantua në edicionin e 67-të të International Film Festival në Heidelberg dhe Mannheim, duke marrë vlerësime nga publiku gjerman.