Mediat ndërkombëtare i kanë kushtuar sot një hapësirë të gjerë vizitës së papa Françeskut në Shqipëri.
Veçorinë e të gjitha lajmeve nga Shqipëria lidhur me vizitën e Papes e përbën fakti se në këtë udhëtim pastoral, kreu i Vatikanit nënvizoi harmoninë mes besimeve fetare në vendin e vogël ballkanik.
Më poshtë vijojnë konstatimet e disa prej mediave kryesore të botës:
“DEUTSCHE WELLE”: Papa Françesku mbërriti sot në Shqipëri, në vizitën e dytë papnore në këtë vend, pas asaj të papa Gjon Palit II, në vitin 1992, një vit pas rënies së regjimit komunist në vendin ballkanik. Masat e sigurisë për vizitën e papës janë tepër të larta, ndërkohë që Ministria e Brendshme e Shqipërisë ka garantuar ruajtje maksimale me dislokimin e 2 500 policëve dhe 29 pika të kontrollit në kryeqytetin e vendit në Tiranë.
ANSA: Bashkëjetesa paqësore mes besimeve fetare në Shqipëri është një shenjë e bukur për botën, deklaroi sot papa Françesku në përshëndetjen për gazetarët, ndërkohë që ishte në fluturim e sipër nga Roma për në Tiranë. “Shqipëria është një vend që ka vuajtur shumë”, nënvizoi papa. “Sidoqoftë, ajo arriti të gjejë paqen përmes besimeve të ndryshme. Dhe kjo është një shenjë e admirueshme për botën, për paqen dhe ekuilibrin në favor të qeverisjes”, theksoi papa Françesku.
“IL CORRIERE DELLA SERA”: Përgjatë bulevardit kryesor të Tiranës janë vendosur fotografitë e 40 martirëve të regjimit komunist, të cilët do të shenjtërohen së shpejti. Tashmë kohët kanë ndryshuar dhe pranë “Opera”-s, me një pankartë ku lajmëron shfaqjen e “Traviata”-s, një kishë dhe një xhami ngrihen pranë njëra-tjetrës dhe papa Françesku do të ecë përmes mijëra njerëzve. Fjalët e para të papa Françeskut janë “në këtë tokë heronjsh dhe martirësh”.
AFP: Papa Françesku mbërriti sot në Shqipëri për një vizitë njëditore, në këtë vend ballkanik që drejtohet nga një koalicion mes myslimanëve, katolikëve dhe ortodoksëve. Papa kërkon të paraqesë bashkekzistencën paqësore fetare në këtë vend si model edhe për evropianët. Avioni i Atit të Shenjtë mbërriti në aeroportin e kryeqytetit të Shqipërisë, ku Papa u prit nga kryeministri Edi Rama, një katolik edhe vetë ai. Dhjetëra mijëra persona janë të pranishëm në qendër të Tiranës, në sheshin “Nënë Tereza” ku Ati i Shenjtë do të mbajë një meshë.
“LE FIGARO”: Sapo mbërriti në Tiranë, Papa Françesku vlerësoi marrëdhëniet mes myslimanëve dhe të krishterëve. Tema e tolerancës mes feve do të jetë lajtmotivi i vizitës së parë në Evropë të papa Françeskut, përcjell Ata.