Polici shqiptar nga Kumanova fitoi drejtësinë!
Katër vite ka zgjatur golgota e policit Ibish Misini. Gjithçka ka filluar papritmas në qershor të vitit 2016, gjatë kohës së regjimit, kur ai është akuzuar që në Ministrinë e punëve të brendshme është punësuar me diplomë false.
“Ishte një aktakuzë e fabrikuar dhe e përgatitur mirë nga persona apo grupe të caktuara e nisur që nga qershori i vitit 2016, e për të marrë dhenë e për t’iu shfaqu opinionit të gjerë më 28.10.2017.
Në tekstin e publikuar aso kohe thuhej se gjoja personi me inicialet I.M. që nga viti 2003 është i punësuar me dokument të rremë në organet e MPB. Me qëllim të diskreditimit personal e familjar, filloi zinxhiri i seancave gjyqësore nga Gjykata Themelore e Kumanovës. Shtatëmbëdhjetë të tilla, herë të mbajtura e herë të anuluara me të vetmin qëllim të rraskapitjes morale e shpirtërore të I.M., që i njëjti jo vetëm të mos mund të ushtrojë profesionin e policit, por edhe të humb motivin dhe kontrollin për punë në jetën e përditshme”, thotë polici Misini, duke folur për golgotën e përjetuar.
Edhe pse ai nuk ishte suspenduar nga puna, kalvari i seancave të njëpasnjëshme dhe të pabaza gjyqësore vazhdonte.
Pas skandalit të bërë nga Prokuroria dhe Gjykata themelore e Kumanovës, Gjykata e Apelit në Shkup bëri hulumtime dhe kontrolle të shumta, erdhi në përfundim dhe solli vendim të Plotfuqishëm se Ibish Ekrem Misini nga fshati Vaksincë, nuk ka bërë kurrfarë vepre penale dhe se dokumentin që posedon është plotësisht valid.
“Dhe tani pas kësaj odiseade gjyqësore kush duhet të sillet para drejtësisë? Fabrikuesit, etiketuesit, montuesit, shpifësit…!!!? Tani vallë kush mund të ketë radhën, e që prokurorët e gjykatat të veprojnë dhe plotësojnë apetitet sadiste të individëve, politikave e partive të ndryshme…”, pyet Misini.