Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia tregon se Kosova do të pregatis një pako për Luginën e Preshevës
Ministri i Shëndetësisë në detyrë, Arben Vitia, shpreson që deri më katër maj të ndalin ciklin e rritjes së numrit të të infektuarve me Covid-19.
Ai gjithashtu ka paralajmëruar një pako për Luginën e Preshevës.
“Njëra nga temat kyçe që kemi biseduar me ministrin e shëndetësisë së Serbisë ka qenë edhe Lugina. Para kësaj, të premten e kaluar bashkë me kryeministrin Kurti dhe ministrin Bislimi kemi biseduar për masat dhe ndihmat që ne si qeveri do t’i dërgojmë në Luginë dhe pas këtyre diskutimeve do të dalin me një pako. Njëra ndër kërkesat tona për ministrin serb ishte ajo për testimin, dhe mënyrën si po trajtohen qytetarët në Luginë”, ka thënë ai. “nga ana e ministrit na është thënë se do të funksionojnë si për qytetarët e tjerë. Në bashkëpunim edhe me komunat atje do të zgjidhet shumë shpejtë”.
Ai thotë se do të ketë përmirësim të situatës, por nëse respektohen masat e Qeverisë.
“Më 4 maj ne shpresojmë se do të ndalim ciklin e rritjes së numrit të të infektuarve. Ne kemi parë disa shtete si model, dhe kemi pasur fat që kemi marrë disa masa në fillim duke i mbyllur shkollat që ka pasur efekt. Kjo na ka ndihmuar shumë që të menaxhohet situata më mirë”, ka thënë Vitia.