Ardita Sinani uron muslimanët për muajin e shenjtë të Ramazanit
Të dashur qytetar të komunës së Preshevës,
Të nderuar vëllezër e motra të besimit Islam,
Në prag të muajit të shenjtë të Ramazanit, muajit të begative e sakrificës, muajit të mirësive e solidaritetit, uroj nga zemra të gjithë myslimanët duke i dëshiruar agjërim të lehtë.
Muaji i Ramazanit për besimtarët është i njohur si muaji që Krijuesi i gjithësisë zbret mëshirë për të gjithë ata që i drejtohen me lutjet e tyre të sinqerta, andaj uroj që këtë begati të Zotit ta shfrytëzojmë në mënyrë që të shpresojmë në shpërblimet e Tij.
Duke ditur se Zoti fuqiplotë i plotëson më shumë se në çdo periudhë tjetër lutjet dhe dëshirat tona, uroj që ta shfrytëzojmë këtë mundësi të mirë që t’i drejtohemi Zotit me lutjen për tejkalimin e sfidës ndër më të madhe për njerëzimin, siç është Virusi Corona. Le të lutemi me zemër që ky virus, në të gjithë botën, e posaçërisht në trojet tona të kalojë pa pasoja.
Uroj që muaji i Ramazanit të na shërbejë si reflektim në bashkim për bamirësi, solidaritet e kujdes ndaj nevojtarëve.
Me besim të madh tek Zoti Fuqiplotë dhe me shpresë në shpërblimet e Tij,
Me fat Muaji i shenjtë i Ramazanit.
E juaja, Ardita Sinani
Kryetare e degës së PVD-së, në Preshevë