Kim Mehmeti: Edi Rama e deshqiptarizon Shqipërinë ashtu si Presidenti serb Vuçiq Luginën e Preshevës (Video)

Mos mëkatoni: teatrin nuk e rrënoi Piktori i ‘Rilindjes’ por partitë opozitare, Presidenti dhe të gjithë ne që besuam se çmenduria luftohet me tolerancë e mençuri! Andaj Teatri i rrënuar i shpërfaq rrënojat morale e njerëzore të elitave tona!
Sot Shqipëria ka partiak që duan të shpëtojnë partinë, e jo Shqipërinë! Shqipëria sot ka rënë në duart e atyre që dinë të sundojnë popull, po nuk din të ndërtojnë shtet!
Shqipëria edhe nuk ka parti politike, por sekte që i shërbejnë nëntokës politike! Andaj në atë vend bëhet drejtues edhe një Piktori që tallet me tërë një popull!
Jo vetëm Teatrin por ne e braktisëm gjithë Shqipërinë, duke e lënë atë në duart e Piktorit të ‘Rilindjes’, që të bëjë me të çka të dojë!
Mos mëkatoni e mos thoni se në Shqipëria nuk ka institucione shtetërorë shkaku i Piktorit, sepse për t’u bërë ajo shtet duhet të ketë mjaftueshëm qytetarë!
Mos mëkatojmë, por le ta pranojmë se Piktori i ‘Rilindjes’ nuk kishte si mos bëhej diktator në një vend ku i kërkonin të ‘bashkohet me gjithë qelbësirat’ për të ardhur në pushtet dhe aty ku populli del dhe i voton ata që ia zgjedhë partia!
Mos mëkatoni dhe mos e akuzoni Piktorin e ‘Rilindjes’ për kufizim lirish, përderisa shumica dëshmoi se veproni pa menduar, se lejojnë që fëmijët e gratë t’ua nxjerrin në rrugë, e ata të rrinë mbyllur nëpër shtëpi!
Andaj duhet pranuar: vetëm Piktori ia doli që të rrezojë teatër, e jo Teatri ta rrëzojë atë!
Dhe të mos bëhemi se nuk e dimë se çka do të ndodhë pas kësaj: që sonte do e harrojmë Teatrin, do ulemi përpara ekraneve televizive dhe do përcjellim debatet televizive që prodhojnë baltë sa për ta mbuluar tërë Shqiptarinë. E cila baltë pastaj do thahet, do bëhet pluhur e do pllakoset mbi ne si perde mbi turpin tonë kolektiv!
Në ndërkohë mos harroni: edhe për Piktorin e ‘Rilindjes’, nesër do rrëfejmë njësoj si sot për Enverin, duke e pikturuar ashtu mjerimin tonë kolektiv! Do rikujtojmë pra kohët kur Piktori i ‘Rilindjes’ e deshqiptarizonte Shqipërinë, ashtu si edhe Presidenti serb Luginën e Preshevës!
Shkurt: Shqipëria edhe njëherë tregoi se atë ka kush e rrënon dhe kush e sundon, por jo edhe kush e mbron dhe kush e ndërton!