Fondacioni Biberaj shpërndan 5 bursa për studentët nga Presheva
Fondacioni Biberaj ka shpërndarë 40 bursa akademike në vlerë prej 1 milionë e 160 mijë dollarësh, për 40 studentë për studimet “Bachelor” në Institutin Teknologjik të Roçesterit në Kosovë/Fondacioni i Universitetit Amerikan në Kosovë.
Ky fondacion në SHBA ua jep këtë bursë 40 nxënësve me rezultate të larta akademike, që kanë nevojë për ndihmë financiare.
Në një njoftim të fondacionit thuhet se 36 bursa do t’u ndahen studentëve shqiptarë nga Tropoja, Plava, Gucia, Presheva, Tetova, Shkupi dhe pjesët rurale të Kosovës, dhe 4 bursa, studentëve që u përkasin grupeve të pakicave kombëtare në Kosovë.
Bursa Familja Biberaj synon që të paktën 50 për qind, e mundësisht deri në 75 për qind të bursave të jenë për studente. Përparësi do t’u jepet atyre që zgjedhin të studiojnë për shkencë, inxhinieri, teknologji, matematikë dhe gazetari.
“E kam për nder të mbështesë këtë program të mrekullueshëm dhe krijues. Ashtu si familje të shumta që kanë emigruar në Amerikë, ne u jemi thellësisht mirënjohës Shteteve të Bashkuara për mundësitë dhe sukseset që kemi pasur. Kjo bursë e re u ofron një përvojë me të vërtetë globale këtyre të rinjve, me një theks të veçantë për gratë dhe degët e shkencave, inxhinierisë, teknologjisë, matematikës dhe gazetarisë.” – tha Zëdhënësi i Fondacionit Biberaj, Ken Biberaj.
Administrimi i bursave dhe përzgjedhja e studentëve do të jetë përgjegjësi e RIT Kosovë (A.U.K.). Kolegji do të sigurojë akomodimin dhe ushqimin për bursistët.