Lajme

Kurti: Ata që merren me Vulinin bëjnë edhe dëm përveçse gabim

Debati që ka përfshirë përfaqësuesit e Serbisë dhe drejtuesit e Kosovës dhe Shqipërisë, ka sjellë së fundmi edhe reagimin e kreut të Vetëvendosjes Albin Kurti. Përmes një postimi në facebook, kreu i Vetëvendosjes shprehet se; “ata që merren me Vulinin që të mos merren me Vuçiqin, teksa fajësojnë vetëm Slobodanin, bëjnë edhe dëm përveçqë e kanë gabim”, duke iu referuar kështu deklaratave më të fundit të presidentit Thaçi, kryeminsitrit Hoti dhe kryeministrit Rama.

Duke kujtuar 20 vjetorin e rrëzimti të Millosheviçit, Kurti thekson se 20 vjet më vonë, sot në Serbi ka shumë më pak opozitë sesa në dekadën e diktaturës së Milosheviçit.

Postimi i plotë i Albin Kurtit

Dëgjoheshin hapat e shpejtuar të gardianëve poshtë e lart. Na e ndalën edhe energjinë elektrike në pavilonin VI të burgut ‘Zabela’ në Pozharevc. Drejtoria nuk dëshironte që ne të dëgjonim radion. Beogradi ishte përfshirë nga demonstrata masive kundër Milosheviqit. Pozharevci ku ne shqiptarët mbaheshim rob lufte ishte vendlindja e tij.

20 vjet më parë, më 5 tetor 2000, u rrëzua Slobodan Millosheviq nga pushteti. Ai ishte përgjegjës për shkaktimin e katër luftërave në ish Jugosllavi, vdekjen e rreth 150 mijë joserbëve, dhe për gjenocidin mbi popullin boshnjak dhe shqiptar.

5 tetori ndodhi, mirëpo në Serbi asnjëherë nuk erdhi 6 tetori. Ra Milosheviqi si personalitet politik, por ai nuk u braktis si politikë e Serbisë. Përkundrazi, dy vjet e gjysmë më vonë u vra kryeministri Zoran Gjingjiq, ndërsa sot Serbia udhëhiqet nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Milosheviqit: Maja Gojkoviq e cila ishte zv.kryeministre në kohën e tij sot është Kryetare e Kuvendit të Serbisë; Ivica Daçiq, i cili ishte zëdhënësi i partisë së tij sot është Ministër i Punëve të Jashtme; ndërsa sekretari i atëhershëm i Partisë Radikale të Sheshelit, partnere kjo e koalicionit me Milosheviqin, si dhe ministri i informatave në qeverinë e asaj kohe, Aleksandar Vuçiq, sot është President i Serbisë.

20 vjet më vonë, sot në Serbinë ‘demokratike’ ka shumë më pak opozitë sesa kurdoherë në dekadën e diktaturës së Milosheviqit.

Ata që merren me Vulinin që të mos merren me Vuçiqin, teksa fajësojnë vetëm Slobodanin, bëjnë edhe dëm përveçqë e kanë gabim.

Related Articles

Back to top button