Lajme

Negociatat në pikëpyetje, 6 vende skeptike për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Në Këshillin e BE-së ende nuk është rëndë dakord për kornizën e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore. Gjashtë vende kanë shprehur rezerva për të dy vendet dhe deri tani nuk ka një datë për mbledhjen e konferencave ndërqeveritare. Të martën ndërkaq prezantohet progres raporti për Shqipërinë dhe pakoja e rimëkëmbjes ekonomike.

Komisioni Europian dhe Këshilli nuk po arrijnë të bien dakord për kornizën e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore.

Gjashtë vende të bllokut europian nuk bien dakord me qasjen tërësisht pozitive të ekzekutivit për të dy vendet kandidate.

Grupet e punës në Këshillin Europian janë ende duke rishikuar kornizat dhe po adresojnë në to të gjitha vërejtjet e vendeve anëtare.

Në mënyrë të veçantë, korniza e propozuar nga Komisioni është kundërshtuar nga Franca, Holanda, Danimarka, Suedia, Spanja dhe Greqia.

Kundërshtimet lidhen me të dy vendet për çështje të ndryshme, dhe atyre u shtohet edhe Bullgaria që deri tani ka bllokuar procesin për Maqedoninë Veriore.

Nuk ka ende nuk një afat për dorëzimin e kornizës së negociatave, dokumenti bazë që përcakton mënyrën e zhvillimit të bisedimeve të pranimit, por ka vetëm një zotim të presidencës gjermane të Këshillit që konferenca e parë ndërqeveritare për të dy vendet të zhvillohet brenda dhjetorit.

Të martën ndërkohë në Komitetin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian do të prezantohet nga komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, progres raporti Shqipërinë dhe vendet e tjera në proces anëtarësimi.

Burime diplomatike në Bruksel i thanë Ora News, se vlerësimi i përgjithshëm për Shqipërinë është pozitiv, por dokumenti nënvizon kritika për mosfunksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ligjin për mediat, dy çështje që do të ndiqen me përparësi deri në zhvillimin e konferencës së parë ndërqeveritare të negociatave.

Raportet për secilin vend do të tregojnë rrugën që vendet kandidate dhe në proces anëtarësimi duhet të ndjekin në të ardhmen dhe reformat që duhet të ndërmarrin.

Së bashku me progres raportin për Shqipërinë dhe vendet e tjera, do të paraqitet edhe Plani Ekonomik dhe i Investimeve për Ballkanin Perëndimor.

Ky plan do të përmbajë investime që synojnë krijimin e vendeve të punës dhe nxitjen e rimëkëmbjes ekonomike pas goditjes që ekonomitë e Ballkanit Perëndimor morën nga pandemia e Covid-19.

Shuma e pakës së investimeve, që do të jetë brenda fondeve IPA të para anëtarësimit, nuk është përcaktuar ende dhe duhet të miratohet me konsensus nga vendet anëtare.

Related Articles

Back to top button