Vaksinat e Serbisë u refuzuan nga mjekët serbë të veriut të Kosovës
Ardhja e vaksinave kundër COVID-19 nga Serbia në Kosovë, më saktësisht për banorët e komunave me shumicë serbe në veri të vendit, ka bërë që organet e rendit të nisin grumbullimin e informacioneve për të nisur një hetim se si kanë hyrë ato në Kosovë.
Më 24 dhjetor, pra javën e kaluar, në veri të Kosovës kanë hyrë 55 vaksina të cilat kishin qenë të destinuara për personalin mjekësor në veri të Kosovës. Por, ata kishin shprehur rezerva për cilësinë e këtyre vaksinave dhe kanë refuzuar t’i marrin ato.
Edhe se pas refuzimit për marrjen e vaksinave kundër COVID-19 nga personeli mjekësor, të njëjtat janë përdorur për të vaksinuar personat e moshuar në veri të vendit.
Mbrëmë dyshohet se tre automjete/furgonë kanë hyrë në veri të Kosovës.
Furgonët kanë qenë të mbushur me vaksina kundër COVID-19.
Të njëjtat automjete kanë ardhur nga Serbia përmes rrugëve ilegale.
Pas rrjedhjes së informacioneve se rasti i ardhjes së vaksinave është duke u hetuar nga organet e rendit në Kosovë, furgonët me vaksina janë kthyer sërish në Serbi nën arsyetimin se të njëjtat mund të sekuestrohen nga organet e rendit.
Prokuroria e Mitrovicës është duke grumbulluar informacione në lidhje me ardhjen e vaksinave javën e kaluar. Kryeprokurori i Prokurorisë së Mitrovicës, Shyqyri Syla, gjatë ditës së sotme i ka thënë se janë duke mbledhur informacione se nga cilat rrugë saktësisht kanë ardhur vaksinat dhe kush i ka transportuar ato.Ardhjen e vaksinave kundër COVID-19 në veriun e Kosovës e ka bërë të ditur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Vaksinimi ka filluar në Leposaviq. Sot do të arrijë edhe në Mitrovicë. Kjo vaksinë është për personat mbi moshën 75-vjeçare. T’i ruajmë së pari ata, e më pas edhe të tjerët”, ka deklaruar Vuçiq.
Fillimisht Qeveria e Kosovës nuk ka qenë e njoftuar për fillimin e vaksinimit të qytetarëve serbë në veri të Mitrovicës, ndërsa më vonë në një njoftim për media kanë treguar se nëse këto vaksina kanë hyrë në Kosovë përmes rrugëve ilegale, atëherë institucionet e Kosovës do të ndërmarrin masat e nevojshme ligjore ndaj personave të përfshirë në këtë aktivitet ilegal, kontrabandim me barëra.
“Përndryshe institucionet e Kosovës nuk kanë pasur asnjë komunikim zyrtar me institucionet e Serbisë lidhur me këtë çështje, as të drejtpërdrejtë përmes Zyrave Ndërlidhëse të të dyja vendeve e as me ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit të datës 26 dhjetor.
Në anën tjetër Kosova ende nuk është furnizuar me vaksina kundër COVID-19, edhe pse pritet që 20% e vaksinave të merren falas nga programi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVAX, e cila do të shpërndajë vaksina për vendet e varfëra.
Ndërsa, pjesa tjetër e vaksinave do të blihen nga Ministria e Shëndetësisë. Përdorimi i vaksinës kundër COVID-19 pritet të fillojë të përdoret në Bashkimin Evropian më 27 dhjetor.