Lajme

Të gjithë shqiptarët nga Lugina e Preshevës, të cilët jetojnë në Zvicër, mund të udhëtojnë në Kosovë duke përdorur letërnjoftimin

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ka njoftuar se është mundësuar që të gjithë shqiptarët nga Lugina e Preshevës, të cilët jetojnë në Zvicër, mund të udhëtojnë në Kosovë duke përdorur letërnjoftimin apo lejeqëndrimin e vlefshëm biometrik të lëshuar nga shtetet anëtare të BE-së apo shtetet anëtare të Zonës Shengen, ku përfshihet edhe Konfederata Zvicerane.

“Posedimi i këtyre dokumenteve, do të mjaftojë për të kaluar transit apo për të qëndruar deri në 90 ditë në territorin e Republikës së Kosovës. Vështirësi të tilla për udhëtim nuk do të paraqiten më as nga aeroporti i Cyrihut apo aeroporte të tjera në Konfederatën e Zvicrës. Në mungesë të letërnjoftimeve të lëshuara nga autoritetet e Serbisë dhe për shkak të fshirjes së adresave të tyre nga autoritet serbe, deri më sot shqiptarët e Luginës së Preshevës të cilët jetojnë në Konfederatën Zvicerane, janë privuar të udhëtojnë drejt Luginës përmes Republikës së Kosovës”, thuhet nga MPJD-ja.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka ngritur disa herë shqetësimin për pasivizimin e adresave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

“Në vijim të deklaratës së përbashkët me Ministrinë për Evropë dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, mbi problematikën e pasivizimt të adresave të shqiptarëve në Luginë, ri-përsëris nevojën për reagimin e menjëhershëm për shkeljet e të drejtave themelore të shqiptarëve në Luginën e Preshevës nga autoritetet e Serbisë. Kjo praktikë shtetërore që po zbatohet në mënyrë arbitrare dhe të qëllimshme përbën një formë të re të shtypjes së ushtruar ndaj shqiptarëve atje. Institucionet e Republikës së Kosovës nuk do të mbesin më në heshtje, dhe qëndrojmë pranë bashkëkombësve tanë atje”, ka thënë Haradinaj-Stublla.

Related Articles

Back to top button