Si ishte viti 2020 për Shqiptarët e Luginës tregon Shqiprim Arifi (Video)
Shqiptarët në Luginën e Preshevës kanë qenë gjithmonë pjesë e emisionit Balkan Talks për të treguar për një publik më të gjerë problemet me të cilat hasen çdo ditë. Sigurisht që viti 2020 ka pasur gjëra pozitive dhe negative për ta. Sot do të flasë zoti Shqipërim Arifi, i cili është kryetar i komunës së Preshevës dhe drejton partinë “Aleanca për Ndryshim”, për të treguar më shumë se si ishte viti 2020 për shqiptarët në Serbi.
“Viti 2020 në përgjithësi ka qenë vit i ngarkuar, vit që karakterizohet me një turbulencë politike në Luginë të Preshevës, por edhe me një sfidë personale që kam pasur unë duke qenë i infektuar me COVID-19 dhe pasojat e saj të rënda në shëndetin tim,” – rrëfen zoti Arifi.
Një problem themelor me të cilin përballen shqiptarët aty është mungesa e qendrës shëndetësore.
“Qendra spitalore mungon në Luginën e Preshevës jo vetëm nga pandemia globale, por ka 30 vite që nuk ka pasur,” – tregon për Balkan Talks kryetari I komunës së Preshevës.
Por, problem më i madh këto vitet e fundit ka qenë pasivizimi i të dhënave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, Medvegjë dhe Bujanovc.
“Duhet të dallojmë se në Medvegjë nuk flasim më për problem, por aty është vonë për të ndërhyrë. Në Bujanovc dhe Preshevë intesiteti është më i ngadaltë dhe më i vështirë të implementohet nga institucionet shtetërore aty. Shumicës së shqiptarëve në Medvegjë i kanë çregjistruar dhe ju kanë fshirë adresat,” – shprehet zoti Arifi.
Zoti Arifi gjatë bisedës tregon se ndihet shumë aty mungesa e mbështetjes nga Shqipëria dhe Kosova.
“Brengat politike në Shqipëri apo Kosovë janë më të mëdha se brengat tona. Dashuria për Luginën e Preshevës duhet të materializohet,” – rrëfen zoti Arifi.
Në fund gazetari Franko Egro e pyet dhe si ka qenë ky viti për promovimin e të drejtave të qytetarëve shqiptarë brenda Serbisë dhe zoti Arifi thotë se e ka në dorë direkte politika në Kosovë.
“Pozita e shqiptarëve në Luginë të Preshevës varet direkt nga fuqia e politikës së Kosovës,” – thotë Shqiprim Arifi.