Shqiprim Arifi i uron fitoren Lëvizjes Vetëvendosje
Me rastin e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në Republikën e Kosovës, qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës treguan një nivel të lartë të demokracisë dhe qytetërimit, duke i realizuar këto zgjedhje në nivel të lartë të disiplinës dhe duke mundësuar shprehjen e lirë të vullnetit politik të çdo qytetari.
Lëvizjes Vetëvendosje i urojmë për fitoren e arritur, duke i uruar suksese në qeverisjen e vendit në mandatin e ardhshëm, përmes vendosjes së rendit dhe drejtësisë, zhvillimit dhe integrimit të Republikës së Kosovës në institucionet e rëndësishme ndërkombëtare.
Nga Qeveria Kurti II, shqiptarët e Luginës së Preshevës presin një qasje edhe më proaktive, prezencë me më të madhe përmes projekteve konkrete investive për zgjidhjen e problemeve konkrete me të cilat përballet kjo popullatë, ndihmë konkrete sikurse me rastin e përkrahjes përmes Pakos financiare gjatë pandemisë gjatë vitit 2020, poashtu edhe vazhdimi i Pakos së dytë të përkrahjes për vitin 2021, jetësimin e Fondit Kombëtar të Solidaritetit si garancë për mbijetesën dhe zhvillimin e shqiptarëve në Luginë, si dhe përfshirjen e përfaqësuesve politik të Luginës në bisedimet politike mes Prishtinës dhe Beogradit.
Fitorja bindëse e Vetëvendosjes dëshmon dhe një herë nivelin e lartë të vetëdijësimit të popullatës dhe nevojën e ndryshimit rrënjësor të konceptit politik e institucional, luftën kundër korrupsionit dhe qeverisjen e mirë të vendit, fenomen që viteve të fundit ka filluar të zhvillohet tek shqiptarët, si sihariq i mirë dhe imponues për reformimin e klasës politike mbarëshqiptare.
Urime dhe suksese!