Shaip Kamberi: Ne kërkojmë një kryetar tjetër për Preshevën
Të nderuar qytetarë të Preshevës,
Të nderuar anëtarë, aktivistë, komisionerë, vëzhgues dhe votues të PVD-së,
Së pari dua të shprehë urimet e mia për një proces zgjedhor të qetë e demokratik. Janë momente si këto që më bëjnë krenar për cilësitë e jashtëzakonshme të qytetarëve tanë. Dhe që më obligojnë edhe më shumë në angazhimin tim si përfaqësues opozitar i zërit të këtyre qytetarëve në Kuvend.
I falenderoj të gjithë qytetarët që e vlerësuan garën dinjitoze të Ardita Sinanit dhe PVD-së për komunën e Preshevës. Kjo votë popullore është obligim për ne, që të vazhdojmë tutje e të mos ndalemi derisa Preshevës t’ia mundësojmë qeverisjen që ajo meriton: një qeverisje që zhvillon e nuk keqpërdor, një qeverisje që bëhet bashkë me qytetarët e për ta, një qeverisje që ia mundëson Preshevës frymimin e lirë e jo nëpërkëmbjen në errësirën diskriminuese të Beogradit.
Po ashtu i falenderoj e përgëzoj për punën të gjithë anëtarët e aktivistët e PVD-së të cilën nuk u ndalën e as nuk pushuan së besuari në projektin tonë.
Vota e PVD-së ka shënuar rritje fal punës dhe angazhimit tuaj. Natyrisht që kemi pritur më shumë. Natyrisht që e dijmë që meritojmë më shumë.
Por angazhimin politik nuk duhet ta masim vetëm përmes prizmit të suksesit të atypëratyshëm elektoral, por përmes trajektores së procesit e avansimit konceptual e organizativ të organizatës sonë e të angazhimit të secilit prej nesh.
Nuk duhet të zhgënjehemi. Duhet të punojmë më shumë. Të mësojmë më shumë. Të mos përsërisim gabimet tona. Të jemi bashkë me qytetarët.
Ta vazhdojmë insistimin tonë për një qeverisje të denjë për Preshevën.
Programi ynë nuk gjeti mbështetjen e mjaftueshme të qytetarit.
Kjo e sposton zbatimin e tij.
Por nuk e pamundëson.
Ne jemi thellësisht të bindur që qeverisja e PVD-së është ajo që i duhet Preshevës. E që do t’i duhet më shumë në të ardhmen.
Prandaj duhet që vazhdimisht dhe pandalur këtë bindje tonë ta shpërndajmë te sa më shumë qytetarë. Sa më shumë që mendojnë si ne, aq më mirë do t’i kemi punët, si PVD, e aq më shumë do të kemi mundësi të bëjmë mirë për shqiptarët e Luginës.
Prandaj misioni ynë është mision fisnik. Sepse politikën nuk e shohim si përfitim votash, por si angazhim për të mirën e përgjithshme. Sepse pushtetin nuk e kuptojmë si shtëpi ku e rehatojmë veten e familjarët tanë, por si mundësi për të krijuar mundësi të reja për qytetarët. Për sa kohë që mbesim në këtë, për sa kohë që ecim këtij shtegu, do të arrijmë destinimin tonë politik. Po, është me rëndësi të ecim më shpejtë. Por më me rëndësi është të ecim drejtë.
Rënia e votave të Shqiprim Arifit është sukses i jashtëzakonshëm. Sot më shumë qytetarë të Preshevës janë kundër tij se sa që janë me të. Kjo tregon për kulturën e lartë demokratike të preshevarëve.
Nuk janë të kënaqur me mandatin e parë. Prandaj shumica nuk janë dakord që ta ketë mandatin e dytë. Duke e pranuar këtë rezultat zgjedhor në plotni PVD nuk e përkrah edhe një mandat për Shqiprim Arifin. Koha e tij për ne ka mbaruar.
Njëjtë sikur qytetarët, ne kërkojmë një kryetar tjetër për Preshevën. Dhe nuk do të ndalemi së kërkuari. Jo vetëm sot. Por gjithmonë. Derisa Presheva ta ketë kryetarin e vet për veti. Derisa shqiptarët në Luginë të mos jenë të barabartë në zhvillim, në mundësi, në shoqëri, me të tjerët.
Koha e diskriminimit e nënshtrimit po shkon.
Koha jonë po vjen.
Ju faleminderit!
Partia për Veprim Demokratik
Shaip Kamberi – kryetar