Lajme

Greqia hap kufirin me Maqedoninë e Veriut pas 14 muajsh mbylljeje

Pas një mbylljeje prej 14 muajsh, për shkak të pandemisë së koronavirusit, Greqia hapi të premten kufirin për qytetarët e Maqedonisë së Veriut. Vendkalimi kufitar Bogorodicë-Evzoni u hap me vendim të Qeverisë greke. Por, për të kaluar në territorin grek, shtetasit e Maqedonisë së Veriut duhet të paraqesin një vërtetim se janë vaksinuar kundër sëmundjes që e shkakton koronavirusi, COVID-19, se e kanë kaluar sëmundjen ose të kenë test negativ PCR, jo më të vjetër se 72 orë. Greqia bëri të ditur se i njeh të gjitha vaksinat kundër COVID-19, përfshirë ato kineze dhe ruse, të cilat nuk janë miratuar ende nga Bashkimi Evropian.

Hapja e vendkalimit kufitar përkoi edhe me fillimin e sezonit turistik veror në Greqi. Vendimi i Qeverisë greke ishte paralajmëruar qysh më herët, ndërsa ka të bëjë edhe me përmirësimin e ndjeshëm të gjendjes epidemiologjike në Maqedoninë e Veriut. Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut raportoi të premten për 30 raste të reja të të infektuarve me koronavirus, pas testimit të 1,658 mostrave, dhe 16 viktima. Numri i të shëruarve vazhdon të jetë shumë herë më i lartë se i të infektuarve. Të premten u regjistruan 359 të shëruar, ndërsa një ditë më parë u raportua për mbi 3,800 të shëruar – shifër kjo rekorde që nga fillimi i pandemisë në pranverë të vitit të kaluar.

Maqedonia e Veriut, deri më tash, ka vaksinuar mbi 150,000 njerëz. Nga dita e hënë pritet të nisë vaksinimi i të gjithë personave të paraqitur e që janë të moshës mbi 40 vjeç. Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, tha se, javën e ardhshme, Komisioni i Sëmundjeve Infektive do të debatojë nëse qytetarët e vaksinuar me dy doza të vaksinës kundër COVID-19 do të lirohen nga mbajtja e detyrueshme e maskës në ambiente të mbyllura dhe të hapura.

Related Articles

Back to top button