Gjilani gati për hapjen e Zyrës për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutëfi Haziri, ka informuar përfaqësuesit e Luginës së Preshevës se po fillon implementimi i Zyrës për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Ai sot ka pritur në një takim me Riza Halimi, deputet dhe lider i PVD-së dhe ish-kryetarin e Bujanocit dhe njërin nga udhëheqësit politik Shaip Kamberi, ku është biseduar për bashkëpunimin e mirë që e kanë mes vete Gjilani dhe komunat e Kosovës Lindore dhe që do të vazhdojnë ta kenë edhe në të ardhmen.
“Kemi biseduar sot lidhur me format e bashkëpunimit që i kemi tradicionalisht të vendosura në nivel politik dhe në nivel regjional apo komunal. Unë i njoftova për zhvillimet që i kemi në Gjilan. Tashmë përfundimisht ne po fillojmë ndërtimin e Zyrës për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, e cila do të merret ekskluzivisht zgjidhjen e problemeve civile dhe problemet tjera politike që i kanë qytetarët e Kosovës Lindore. Natyrisht që në një organizim më të mirë dhe një formë të bashkëpunimit në kuadër të regjionit, në mënyrë që qarkullimi i lirë i njerëzve dhe mallrave të mos kenë probleme që i kanë”, ka thënë kryetari Haziri.
Në këtë takim është folur, poashtu, edhe për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në Serbi, duke shpresuar që shqiptarët e Kosovës Lindore të votojnë për listat shqiptare.
Ndërsa, deputeti Riza Halimi, ka thekësuar, largimi i problemeve të deritanishme në qarkullimin e lirë në relacionin Preshvë-Bujanoc-Medvegjë në drejtim të Gjilanit dhe Komunave të tjera në Kosovë, është një çështje jetësore për Luginën e Preshevës. “Pa një qarkullim të lirë, ne do të mbesim të getoizuar. Sikur që ishim menjëherë pas luftës. Dhe në këtë drejtim besoj që ky bashkëpunim do të jep rëezultate dhe do ta ndihmojë Luginën. Këtu Gjilani e ka rolin qendror edhe me Zyrën që z. Haziri e theksoi pak më parë, si sponzorues i Rezolutës së Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Halimi.
Po ashtu Shaip Kamberi tha janë dakorduar me kryetarin Haziri se është momenti që shqiptarët e Luginës të kenë përfaqësuesit e tyre në institucionet përkatëse, për arsye të fazës në të cilën gjendet shteti në të cilin jetojmë.
“Serbia më 21 janar ka filluar negociatat me Bashkimin Europian për anëtarësim dhe ka filluar edhe procesi i imponimit të standardeve të 35 kaptinave për Serbinë. Me këtë rast ka filluar edhe procesi i imponimit të standardeve nga kapitulli 23 dhe 24 që ka të bëjë me të drejtat e njeriut, me të drejtat e pakicave, me sundimin e ligjit me sigurinë juridike dhe me gjyqësorin, që janë çështje mëse të rëndësishme për pozitën e shqiptarëve në rajon dhe që janë çështje shumë e rëndësishme perspektivën e shqiptarëve në rajon”, ka thënë Kamberi.