Ardita Sinani për Riza Halimin “Është kryetari im i parë. Ai që më krijoi hapësirë, më ndihmoi dhe më mbështeti politikisht”
Është kryetari im i parë. Ai që më krijoi hapësirë, më ndihmoi dhe më mbështeti politikisht.
Por z.Riza Halimi është para së gjithash themeluesi i partisë së parë politike shqiptare në Luginën e Preshevës, duke ju bashkuar kështu liderëve të tjerë të parë shqiptarë dhe rajonal të sistemit pluralist.
Ish-kryetar Komune, ish-deputet popullor dhe protagonisti kryesor politik i Luginës së Preshevës, përgjatë regjimit shovenist të Sllobodan Millosheviqit dhe në vitet pas rënies së tij.
Hartues dhe zbatues i orientimeve themelore e thelbësore të politikës shqiptare të Luginës së Preshevës përgjatë më se dy dekadave, bashkorganizator i Referendumit të 1 dhe 2 marsit 1992, ai barti mbi supe rezistencën institucionale e partiake, duke qenë edhe përkrahës dhe partner i rezistencës së armatosur të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Me formim arsimor nga fusha e shkencave fizike, z. Riza Halimi përgjatë gjithë veprimtarisë së tij ka qenë para së gjithash qenie politike në funksion të kombit, shoqërisë, qytetarit dhe dinjitetit njerëzor.
Sot në pension të merituar; ai e vizitoi kabinetin tonë, së bashku me bashkëshorten e tij, zonjën Sevdije, për t’i shprehur urimet e tyre për një qeverisje të mirë dhe reformatore.