Vidhen 23 koshere bletësh në Mamushë

23 koshere bletësh janë vjedhur në Mamushë, ndërsa autorët e këtij skenari arritën të ikin, pasi kuptuan se dikush po i përcillte në orët e natës, andaj edhe lanë minibusin, të cilin po ashtu doli ta kenë vjedhur në një fshat të Suharekës, ndërsa ia mbathën këmbëve.
Një polic i cili po kthehej nga detyra me veturë private, diku pas mesnat posa kishte arritur në Malishevë ishte nisur në drejtim të fshatit Lubizhdë, kishte lëvizur pas një automjeti të llojit kombi “Ford Transit” ngase kishte dyshuar se në te mund të kishte gjësende të kundërligjshme.
Polici pasi informimit të policisë së Malishevës kërkoi edhe ndihmën, mirëpo të dyshuarit, me gjasë e kanë kuptuar qëllimin e policit dhe me të arritur në Lubizhdë, befasisht e kanë ndalur automjetin dhe kanë ikur në drejtim të pa njohur. Në vendin e ngjarjes, në brendësi të automjetit policia ka gjetur 23 koshere bletësh.
Zëdhënësi rajonal i policisë, njoftoi se pas orës 07 të mëngjesit, një qytetar nga Samadraxha e Suharekës ka informuar policinë se automjeti i tij i llojit “Ford Transit” ishte vjedhur gjatë orëve të natës.
Ai tha se më vonë në Mamushë është iniciuar rasti i vjedhjes së bletëve të cilat kanë qenë të stacionuara në fushë të hapur në mes të këtij fshati dhe Retisë.
Bletët i janë kthyer pronarit. Sipas policisë tashmë mbetet në kompetencë të tri stacioneve policore për t’i koordinuar hetimet për ndriçimin e rrethanave të këtij rasti.