Kuvendi Komunal ka votuar pro propozimit të Kryetarit Shpend Ahmetit për shitjen e Audi Q7.
“Me gjithë kundërshtimin e LDK-së, kuvendi komunal votoi propozimin tim për ta shitur Audi Q7. Tani do të zhvillojmë procedurat e parapara me ligj për shitje”, ka shkruar Ahmeti në profilin e tij në Facebook.
Përveq kësaj pike të rendit të ditës, në Asamblenë Komunale të Prishtinës, është vendosur edhe për anëtarët në komisionet komunale të aksionarëve në ndërmarrjet publike lokale.
Kryetari Ahmeti, ka caktuar emrat e pesë anëtarëve në komisionet komunal të aksionarëve në ndërmarrjet publike lokale, por diskutimi për dy anëtaret e tjerë të cilët i cakton Kuvendi ka shkaktuar debat ndërmjet LDK-së dhe asambleistëve të partive tjera.
Lista e Lëvizjes Vetëvendosje është aprovuar me 26 vota për sa kanë qenë asambleistë të pranishëm në sallë. LDK lëshoi sallën pas mos aprovimit të kërkesës së tyre që të shtyhet kjo pikë e rendit të ditës. Kërkesa ka rrjedhur pas miratimit të rendit të ditës. Edhe në këtë seancë, Partia Demokratike e Kosovës nuk ka emëruar anëtarin në Komitetin për Politikë dhe Financa, dhe po ashtu janë emëruar edhe shtatë anëtarët e Komiteti për Komunitete. Nga Partia Demokratike e Kosovës ka dhënë betimin Lirijeta Rexhepi, në vend të asambleistes Floriana Rugova. (Express)