Nuk kanë munguar akuzat në këtë drejtim, edhe nga ana e autoriteteve të huaja që kanë shqyrtuar dokumentacionin e aplikantëve shqiptarë për azil. Por sot është vepruar konkretisht nga drejtësia jonë, me arrestimin e tre personave. Në këmbim të shumave nga 300-1000 euro, ata hartonin dokumenta të falsifikuara për qytetarë të ndryshëm si të përfshirë në gjakmarrje, të cilët i paraqesnin më pas këto akte pranë autoriteteve të huaja për përfitim të lejeve të qëndrimit, kryesisht në zonën Shengen.
Me kërkesë të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Kryetarin e Asamblesë Kombëtare të Misionarëve të Pajtimit Mbarëkombëtar, shtetasin N. Prenga, të akuzuar për “korrupsion pasiv në sektorin privat” dhe “falsifikim dokumentash”, dhe po ashtu për shtetasit T. Marena dhe P. Ndoj, të akuzuar po për “korrupsion aktiv në sektorin privat” dhe “falsifikimi i dokumentave. Vendimi i gjykatës është ekzekutuar sot nga ana e policisë.