Njësitë e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Policia e Kosovës, Shërbimi Korrektues parakaluan në sheshin “Zahir Pajaziti”.
Kjo në kuadër të shënimit të gjashtë vjetorit të pavarësisë së vendit.
E ky do të jetë parakalimi i fundit i FSK-së, për shënimin e përvjetorit të pavarësisë, pasi vitin e ardhshëm ky institucion do të njihet me emrin Forcat e Armatosura të Kosovës.
FSK i bëri nderime atdheut duke ngritur flamurin shtetëror dhe intonuar himnin e Republikës së Kosovës, ndërsa përveç krerëve të vendit, të pranishëm ishin edhe shumë qytetarë.
“Kjo është parada e fundit ku ne e shohim parakalimin e FSK-së me këtë emër”, u shpreh Thaçi duke shtuar se na ndan një kohë shumë e shkurtër nga themelimi i Forcave të Armatosura të Kosovës.
Sipas tij, Forcat e Armatosura do të kenë mandat të ri, do të kenë kapacitete mbrojtëse. Ai vlerësoi se Forcat e Armatosura do të jenë të gatshme dhe të afta ta mbrojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.