LajmeMagazina

Nxënësi shqiptar në Gjermani zbulon “këpucën që prodhon rrymë”

Zbulimi i dy të rinjve konsiston në një shuall këpuce përmes të cilit bartësi i tij prodhon energji elektrike duke ecur
Dardan Ramadani dhe Tobias Franz, të dy nxënës të gjimnazit Traben-Trarbach, kanë bërë një inovacion interesant teknik. Ata janë vlerësuar shumë lartë në konkursin nacional të Gjermanisë për rininë novatore „Jugend forscht – Schüler experimentieren” (Rinia hulumton – Nxënësit eksperimentojnë) që është mbajtur në Trier.
Me këtë rast dy nxënësit e talentuar janë shpërblyer me shumë çmime, ndër të cilat edhe me çmimin special të fondit federal të Gjermanisë për ambientin. Zbulimi i dy të rinjve konsiston në një shuall këpuce përmes të cilit bartësi i tij prodhon energji elektrike duke ecur, transmeton albinfo.
Energjia e prodhuar kështu, depozitohet në bateri dhe sipas nevojës, me të mund të mbushet bateria e ndonjë aparati, (zakonisht telefonit mobil). Në këtë mënyrë, personi që ecë, nuk do të ishte më i varur nga bateria ose ndonjë burim tjetër energjie dhe kështu do të ketë në dispozicion energji të mjaftueshme për të shfrytëzuar aparatin e tij, shkruan eifel.de. Emërtimi që i kanë bërë këtij zbulimi është “Prodhimi i rrymës duke ecur”.
Inovacioni i bërë nga Dardani dhe shoku i tij do të jetë i përdorshëm si në kohën e lirë ashtu dhe për raste emergjente kur nevojitet një telefon mobil por bateria e tij është e zbrazur.
E veçanta tjetër e këtij zbulimi është se dy të rinjtë për ta realizuar atë kanë përdorur vetëm materiale që gjenden kudo dhe nuk kanë shfrytëzuar energji elektrike. Sepse, “ata duan që energjinë ta prodhojnë dhe jo ta shfrytëzojnë”, ka thënë mësuesi i tyre që i ka udhëzuar gjatë punës.
Për Dardanin kjo nuk është hera e parë që merr një çmim. Para një viti ai kishte zënë vendin e parë në garat regjionale në biologji, me çka e ishte kualifikuar për garat në nivel të landit./Titulli.com/

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button