APN: Në Preshevë harxhohen 16.000€ për asfaltimin e rrugës private të këshilltarës së PDSH-së
16,000€ nga buxheti i Komunës për asfaltimin e rrugës private dhe parkingut të këshilltarës së PDSH-së
Konglomerati për shpërdorimin dhe abuzimin e buxhetit të Komunës së Preshevës ende pa i mbushur gjysmë viti në pushtet ka shpërfaqur planprogramin e tyre duke trajtuar vendin tonë si plaçkë e tyre private.
Në fotografinë që po ndajmë me qytetarët e Komunës së Preshevës, ju njoftojmë për abuzimin e kësaj qeverisje antidemokratike për blerjen e servilizmit absolut të këshilltarëve, me rastin e asfaltimit të rrugës private që shpie drejt shtëpisë së këshilltarës së PDSH-së dhe parkingut të saj, njëherit edhe kryetare e Forumit të Gruas të PDSH-së.
Sipas kalkulimeve të ekspertëve, ky investim për interesat klanore të partisë në pushtet, i ka kushtuar taksapaguesve të Komunës së Preshevës rreth 16 mijë euro. Në situatën e jashtëzakonshme dhe varfëri të ekstreme ku gjindet vendi jonë, pushteti lokal zhvillon politika ku interesi personal mbizotron agjendën e tyre.
I rikujtojmë të gjithë banorëve të komunës së Preshevë se subjekti ynë politik pas vërshimeve në fshatrat Rahovicë dhe Raincë ka kërkuar vazhdimisht nga qeverisja jolegjitime të kompensojë dëmet e shkaktuara, por ky pushtet me një program të qartë udhëheqjeje që pasuron klanet ka zgjedhur si prioritet përmbushjen e apetetive të këshilltarëve të tyre, duke injoruar interesat e rëndësishme dhe jetike të qytetarëve.
Shërbimi për Informim i Alternativës për Ndryshim