Duhanpirësit në rrezik më të lartë për t’u shtruar në spital dhe për të humbur jetën nga koronavirusi
Sipas një studimi të ri britanik personat që pijnë duhan kanë mundësi më të madhe për t’u sëmurë rëndë nga COVID-19 dhe gjithashtu më shumë gjasa të vdesin nga kjo sëmundje.
Shkencëtarët e grupit të kërkimeve gjenetike “UK Biobank” vëzhguan më shumë se 420,000 vullnetarë mes muajve janar e gusht 2020.
Ata i mbështetën kërkimet e tyre në të dhënat e regjistrave të kujdesit shëndetësor parësor, rezultatet e testeve për COVID-19, të dhënat për shtrime në spitale dhe çertifikatat e vdekjes, për të identifikuar lidhjen mes pirjes së duhanit dhe rasteve të prekjes rëndë nga sëmundja.
Sipas studimit, të botuar në revistën mjekësore “Thorax”, duhanpirësit kishin 80% më shumë gjasa të shtroheshin në spital dhe më shumë gjasa të vdisnin nga COVID-19.
Studiuesit përdorën një teknikë të quajtur “Rastësia Mendeliane” e cila përdor variantet gjenetike që përfaqësojnë një faktor të veçantë rreziku, që do ta bënte dikë më të prirur të pinte duhan.
Studimi thotë se një person i prirur gjenetikisht për pirjen e duhanit kishte një rrezik prej 45% për infeksion dhe 60% më të lartë për t’u shtruar në spital me COVID-19.