Doza e tretë e vaksinës do të jetë së shpejti kusht për udhëtim?
Holanda dhe Republika Çeke kanë vendosur të ndjekin rekomandimin e Komisionit Evropian për shkurtimin e vlefshmërisë së certifikatës së Covid në nëntë muaj dhe vendimi duhet të hyjë në fuqi në fillim të vitit të ardhshëm.
Ministri holandez i Shëndetësisë, Hugo de Jones, deklaroi se në të ardhmen do të konsiderojë një person plotësisht të vaksinuar si ai që ka marrë një dozë përforcuese të vaksinës kundër koronavirusit.
Prandaj, kjo do të thotë se Holanda do të shkurtojë vlefshmërinë e certifikatave të vaksinimit nga 12 në nëntë muaj dhe të gjithë ata që nuk e plotësojnë këtë kusht do të duhet të respektojnë rregullat shtesë të hyrjes.
Sipas të dhënave në këtë faqe, personat që nuk kanë marrë një dozë përforcuese do të mund të udhëtojnë nëpër Bashkimin Evropian nëse tregojnë prova të një testi negativ për Covid.
Ky vendim pritet të hyjë në fuqi në shkurt të vitit 2022.
Rekomandimi i Komisionit Evropian është që shtetet anëtare të mos pranojnë certifikatat e vaksinimit që nuk lëshohen brenda nëntë muajve. Megjithatë, vendet anëtare të BE-së duhet të bien dakord për këtë çështje dhe të arrijnë një vendim të përbashkët.
Ngjashëm me Holandën, autoritetet çeke njoftuan këtë javë se do të ulin vlefshmërinë e certifikatës së Covid në nëntë muaj. Prandaj, duke filluar nga janari 2022, vetëm ata që kanë marrë dozën e tretë të vaksinës do të konsiderohen udhëtarë të vaksinuar plotësisht kur të arrijnë në Republikën Çeke.
Disa vende të tjera kanë filluar të vendosin një certifikatë vlefshmërie, e cila mund të zgjatet duke marrë një dozë shtesë.
Kështu, në Austri periudha e vlefshmërisë së vaksinës më 6 dhjetor u reduktua në 270 ditë.
Në Izrael, certifikata skadon 180 ditë pas dozës së dytë dhe vizitorët duhet të sigurohen që vaksinimi i tyre të mos skadojë gjatë qëndrimit të tyre në vend. E cila nuk është shumë e rëndësishme për momentin, pasi Izraeli aktualisht është i mbyllur për të gjithë turistët e huaj.
Kujtojmë se më 25 nëntor, Komisioni Evropian propozoi caktimin e periudhës së vlefshmërisë së vaksinës në nëntë muaj, e cila nëse kalon, do të jetë e vlefshme për të gjitha shtetet anëtare nga 10 janari 2022.