Këshilltari i Vjosa Osmanit: Shqiptarët nga Lugina do të mund të pajisen me shtetësi kosovare
Artan Murati, këshilltari i Presidentes, së Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një statusi në Facebook, ka bërë të ditur se shqiptarët nga Medvegja, Presheva e Bujanoci që kanë qëndruar së paku pesë vite në Kosovë nga 12 qershor 199 deri në 31 dhjetor 20221, tashmë do të mund të pajisen me shtetësi kosovare.
“Shumë i lumtur që në këtë koncept-dokument, prej të cilit më pas do të dalë edhe Ligji i ri për Shtetësinë, është përfshirë komenti dhe propozimi i Zyrës së Presidentes, i cili do t’ua mundësojë shqiptarëve nga Medvegja, Presheva e Bujanoci të pajisen me shtetësi të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Murati.
“Më konkretisht, të gjithë qytetarët nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, të cilët kanë qëndruar në Republikën e Kosovës së paku 5 vite nga data 12.06.1999 deri me datë 31.12.2021, do të kenë të drejtën e fitimit të Shtetësisë bazuar në rregullimin e kornizës ligjore me këtë Koncept Dokument”, shkroi ndër tjerash ai.
Ai theksoi se hap i radhës është hartimi i projektligjit dhe miratimi i tij në Kuvend.
“Shqiptarët e Luginës nuk do të anashkalohen asnjëherë. Koordinimi institucional është i nivelit më të lartë, dhe kjo do të sjellë rezultate pozitive. Hapi i rradhës: hartimi i projektligjit dhe më pas miratimi i tij në Kuvend. Po duket vit i mbarë në këtë drejtim”, theksoi tutje ai.