Lajme

Gjukanoviq: Situata në Ukrainë mund të çojë drejt destabilizimit të ri në Ballkanin Perëndimor

Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, ka thënë se situata në Ukrainë mund të çojë drejt një destabilizimi të ri në Mal të Zi.

Gjukanoviq në një intervistë ekskluzive për KOHËN ka thënë se Rusia po mundohet ta realizojë doktrinën e shkatërrimit në gjithë kontinentin e Evropës. Gjukanoviq ka thënë se është logjike që Rusia ta shfrytëzojë Ballkanin Perëndimor, si terren qasës drejt BE-së.

“Kur them është zgjedhje logjike, kjo ngase mjerisht këtu pikësëpari kemi edhe më tutje shtete të dobëta e me kapacitete të dobëta, dhe, e dyta, ka mjaftueshëm banorë me ndjenja proruse. Andaj, Rusia fatkeqësisht po luan ashpër me këta njerëz dhe me emocionet e tyre, duke u ofruar vetëm që të jenë faktorë destruktiviteti kundër vetë shtëpisë së tyre, ngase nëse pranoni që të jeni në interesin e kujtdo dhe faktor destruktiviteti i Evropës, ju e minoni vetë shtëpinë tuaj. Ne jemi evropianë. Gjithashtu duhet vërejtur se Rusia nuk po ofron alternativë. Mbase do të ishte interesante që të shohim se kundruall idesë së integrimit evropian e euroatlantik ekziston ndonjë ide tjetër konkurruese gjeopolitike, porse nuk ka. Ideja është “le të shkojmë të gjithë së bashku në shkatërrim kundër unitetit evropian dhe kundër sistemit evropian të vlerave”. Mjerisht, një pjesë e njerëzve në Ballkanin Perëndimor e pranon këtë lloj manipulimi. Në Mal të Zi këtë manipulim e kemi njohur qysh më 2016, kur këtu u organizua grusht shtet për parandalimin e shtegut të Malit të Zi drejt BE-së dhe NATO-s, dhe në Mal të Zi kjo ide anti-evropiane dhe njëherësh antieuroatlantike përfundimisht është mundur. Por, përsëris, në Ballkanin Perëndimor ka edhe më tutje tokë të pëlleshme për këtë lloj destruksioni”, ka thënë Gjukanoviq.

Gjukanoviq ka thënë se Rusia në vitin 2016 është munduar ta ndalë që Mali i Zi të hyjë në NATO.

“Rusia në vitin 2016 është përpjekur që ta ndalë Malin e Zi që të mos hyjë në NATO dhe në këtë nuk ka pasur sukses. Pra, askush, mbase edhe ai më naivi, nuk do të mund të supozonte që Rusia do të hiqte dorë. Rusia edhe më tutje po e zhvillon këtë politikë të saj dhe ajo tani po tenton që këtë doktrinë të shkatërrimit, në rastin e Malit të Zi, supozoj edhe të Maqedonisë Veriore, ta tregojë të suksesshme, ashtu që do ta destabilizonte një vend që është anëtar i NATO-s. Pra, këtë gjithsesi e kemi parasysh dhe po përpiqemi që me anë të forcimit të njëfarë rendi institucional në shtet ta sigurojmë fortësinë e domosdoshme të rezistencës ndaj kësaj përpjekjeje të jofunksionalizimit të jashtëm të institucioneve tona”, tha Gjukanoviq.

Related Articles

Back to top button