Lajme

Kurti: Kosova është e përgatitur të qëndrojë kundër një sulmi të mundshëm ushtarak nga Serbia

Kosova është e përgatitur të qëndrojë kundër një sulmi të mundshëm ushtarak nga Serbia pasi përkeqësimi i mosmarrëveshjeve me pakicën serbe mund të rezultojë në një konflikt të ri të armatosur, i tha kryeministri Albin Kurti agjencisë Reuters në një intervistë.

“Nuk duhet ta përjashtojmë që këto politika agresive të Beogradit të kthehen në një sulm kundër Kosovës në një mënyrë apo tjetrën. Ne jemi vigjilentë, por jo të frikësuar,” tha Kurti për Reuters.

Kurti akuzoi gjithashtu Rusinë, e cila është aleati kryesor i Serbisë dhe ka vënë veton për anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara, për rol nxitës së tensioneve të reja etnike në ish-krahinën jugore të Serbisë.

“Presidenti despotik Putin është një njeri i luftës dhe ai do të kishte interes për të përhapur luftën sepse ai dëshiron të normalizojë luftën”, tha Kurti, duke aluduar për pushtimin e Rusisë në Ukrainën fqinje në Shkurt.

Tensionet midis Serbisë dhe Kosovës u ndezën përsëri në fillim të këtij muaji kur Prishtina tha se do të detyrojë serbët që jetojnë në veri, të cilët mbështeten nga Beogradi dhe nuk i njohin institucionet e Kosovës, të fillojnë të përdorin targat e automjeteve të lëshuara nga Prishtina.

Situata u qetësua pasi Kurti, nën presionin e SHBA-së dhe Bashkimit Evropian, pranoi të shtynte zbatimin e reciprocitetit deri më 1 Shtator.

Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç pritet të takohen në Bruksel për më shumë bisedime më 18 gusht.

Related Articles

Back to top button