Nëse Kurti nuk do Asosiacionin e Komunave Serbe, Serbët do ta formojnë atë
Mesazhi i qartë se Serbia insiston në formimin e Asosiacionit të Komunave Serbe, u dha nga kryeministrja Ana Brnabiq dy ditë më parë gjatë vizitës së saj në Kosovë, është një shenjë se Beogradi do të insistojë që kjo çështje të zgjidhet sa më parë në vazhdimin e bisedimeve me Prishtinën. Nëse formimi i AKS vazhdon të mbetet vetëm në letrën e Marrëveshjes së Brukselit, nuk përjashtohet mundësia që serbët të fillojnë themelimin e saj.
“Ne nuk dorëzohemi dhe vazhdojmë të insistojmë çdo ditë për formimin e AKS. Është një prioritet, pa të cilin bisedimet e mëtejshme nuk janë të mundshme, sepse AKS është shtylla kurrizore e Marrëveshjes së Brukselit. Ju nuk mund të diskutoni një marrëveshje të dytë normalizimi nëse nuk e keni zbatuar të parën. Prandaj mesazhi im është që AKS duhet të krijohet sa më shpejt” tha kryeministrja serbe Brnabiq.
Kurse drejtori i Zyrës për Kosovë, Petar Petkoviq, tha dje, duke iu referuar vizitës së kryeministrit, se është domethënëse që ajo tha se AKS duhet të formohet menjëherë që të flasim për normalizim të mëtutjeshëm.
“Prishtina për 10 vjet nuk e ka kryer obligimin e saj dhe nuk ka formuar AKS, e cila nuk është vetëm shtylla kurrizore e Marrëveshjes së Brukselit, por edhe e dialogut.
Drejtori i Qendrës për Stabilitet Social, Ognjen Karanoviq, shton se formimi vetë-iniciativë i AKS do të kishte një efekt të caktuar, sepse “Serbia në këtë mënyrë nuk do të shkelte asnjë marrëveshje, por në fakt do ta zbatonte atë, por megjithatë do të ishte më mirë të bëhej në konsultim me fuqitë gjeopolitike, duke përfshirë SHBA-në dhe Rusinë”.
Gjatë qëndrimit të tij të fundit në Serbi, i dërguari i presidentit amerikan, Gabriel Escobar, tha se AKS duhet të krijohet, por se ajo duhet të jetë në përputhje me “kushtetutën e Kosovës dhe nuk duhet të çojë në ndonjë mosfunksionim”:
– Ka shumë shembuj në BE që mund të shërbejnë si model për AKS dhe duhet të shpresojmë se do të diskutohet në Bruksel. Duhet të fillojmë një diskutim rreth AKS.