Çmimet e ushqimeve në Maqedoni i janë afruar atyre “evropiane”
Në Shqipëri, në korrik u regjistrua një nga përqindjet më të ulëta të inflacionit krahasuar me vendet e rajonit, në nivelin 7,5%. Sipas autoriteteve, që nga fillimi i pushtimit ushtarak të Ukrainës, vetëm çmimet e ushqimeve janë rritur me më shumë se 13 për qind. Në kulmin e krizës energjetike që po e trondit Evropën, kryeministri shqiptar Edi Rama njoftoi “ngrirjen” e çmimeve të energjisë elektrike për familjet me një koment:
“Ne morëm një vendim që nuk e di nëse është i zgjuar apo i çmendur, çmimi i energjisë elektrike për familjet të mbetet i njëjtë. Çështja është sa do të zgjasë kjo, sepse edhe sikur të keni para nuk ka energji për ta blerë”- tha Rama.
Serbia fqinje vlen si një vend në të cilin çmimet e produkteve ushqimore bazë janë më të ulëta. Kështu një kilogram miell kushton rreth 0,60 euro ndërsa sheqeri 0,85 euro, çmimi i qumështit është afër 1 euro kurse i vajit të gatimit 1,6 euro. Një kilogram mish pule shitet me një çmim prej përafërsisht 4,2 euro ndërsa mishi i viçit kushton rreth 9,8 euro për kilogram.
Serbia këto ditë ka ndaluar eksportin e qumështit, por Maqedonia dhe Shqipëria janë të përjashtuara nga ky kufizim.
A po vjen një valë “ulje çmimesh”?
Ndërsa bota po përballet me inflacion në rritje – disa ekonomistë thonë se presioni i çmimeve megjithatë do të duhet të “zbutet” – kërkesa për produkte po zvogëlohet për shkak të frikës nga kriza dhe recesioni, kështu që qytetarët tashmë po zgjedhin se nga çfarë do të heqin dorë dhe cilat produkte do t’i blejnë, gjë që ndikon drejtpërdrejt në prodhimin, gjegjësisht në kompanitë.
Organizata Botërore e Ushqimit, FAO, ka publikuar të dhëna inkurajuese, çmimet e ushqimeve dhe të lëndëve të para për përpunim janë ulur në muajin korrik për 8,6% në bazë mujore – kryesisht si rezultat i rënies së çmimeve të vajrave bimore dhe drithërave. Por, në nivel vjetor ushqimet janë bërë më të shtrenjta për 13,1%. Në korrik, FAO regjistroi një rënie të indekseve të çmimeve për produktet ushqimore bazë:
FAO (indeksi i çmimeve korrik/qershor)
Drithërat -11.5%
Vaji bimor -19.2%
Sheqeri -3.8%
Produktet e qumështit -2.5%
Mishi -0,5%
Për disa produkte, rënia e parë mujore e çmimeve në gjashtë muajt e kaluar deri në një vit, është regjistruar në korrik. Mbetet e hapur pyetja se sa do të ndihet kjo tendencë e rënies së çmimeve nga konsumatorët e fundit, duke qenë se pasiguria nga kriza luftarake në Ukrainë është ende një kërcënim për ekonominë globale.