Pak orë para takimit të madh në Bruksel, a po i bëhet Kurtit presion për Asociacionin
Orët tashmë na ndajnë nga takimi i nesërm që po konsiderohet të jetë shumë i rëndësishëm në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. E megjithatë, ende pa nisur ai takim, presioni për Asociacionin nga ndërkombëtarët është shtuar.
Gjatë ditës së sotme, Zyra e Kryeministrit lëshoi një komunikatë ku tregonte se Kurtit i kishte ardhur një letër. Ishte një letër e shkruar së bashku nga tre liderët e tri shteteve më të forta të BE-së: Gjermanisë, Francës dhe Italisë. Pra, bëhej fjalë për presidentin Macron, kancelarin Scholz dhe kryeministren Meloni.
Në këtë letër përmendet në mënyrë të qartë dhe eksplicite Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.
“Në paragrafin e tretë të saj thuhet se Këshilli i Evropës ka shprehur mbështetjen për marrëveshjen e rëndësishme dhe në të njëjtën kohë i ka bërë thirrje Serbisë dhe Kosovës që të zbatojnë, plotësisht dhe pa asnjë kusht, obligimet të cilat janë përkushtuar se do t’i përmbushin në kornizën e dialogut, përfshirë marrëveshjet e viteve 2013 dhe 2015 për të krijuar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.”
Megjithëse në këtë letër thuhet “pa asnjë kusht”, duhet të kujtojmë se në seancën e 2 shkurtit, kryeministri Kurti kishte vendosur plot gjashtë kushte për ta konsideruar Asociacionin.Në anën tjetër, Asociacionin Kurtit ia ka përmendur edhe nënsekretari amerikan Derek Chollet. Në një postim në Twitter gjatë ditës së djeshme pas telefonatës që kishte pasur me Kurtin, ai u shpreh mbështetës për takimin derisa tregonte se “tash ishte koha për t’u diskutuar Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe”.
Chollet ia ka përmendur Asociacionin edhe presidentit serb Vuçiq gjatë një telefonate që e ka pasur gjatë ditës së sotme me të.
Pala serbe?
Serbia në anën tjetër konsideron që nuk do të ketë negociata shtesë në lidhje me propozimin franko-gjerman.
“Me eskalimin e situatës në Ukrainë, fokusi i komunitetit ndërkombëtar dhe përpjekjet për të zgjidhur statusin e provincës tonë jugore janë rritur. Për shkak të një politike të mençur, ne e kemi formuar një pozicion të fortë negociues, sipas të cilit nuk mund të ketë negociata për asnjë propozim të ri pa u formuar Asociacioni i Komunave Serbe,” – u shpreh z. Daçiq në fjalën e tij.