Lajme

Kthesë e madhe? Shtyhet vendimi për ndalimin e shitjes së veturave me benzinë ​​dhe naftë

Vendet anëtare të BE-së ranë dakord të premten për të shtyrë vendimin përfundimtar për futjen e një ndalimi të shitjes së automjeteve të reja me motorë me djegie të brendshme pas vitit 2035, njoftoi presidenca suedeze.

Vendimi përfundimtar duhet të ishte marrë nga ministrat e mjedisit që takohen javën e ardhshme, më 7 mars, dhe tani zëvendëskryetarët e përfaqësive të përhershme të vendeve anëtare kanë vendosur ta shtyjnë atë për një mbledhje të mëvonshme të Këshillit, tha zëdhënësi nga Presidenca suedeze e Këshillit të BE-së, Daniel Holmberg, pa specifikuar arsyet e vonesës.

Negociatorët e Këshillit të BE-së, i cili përfaqëson shtetet anëtare dhe Parlamentin Evropian, arritën një marrëveshje në parim në fund të tetorit të vitit të kaluar për një rregullore që parashikon zbatimin e detyrueshëm të shkallës zero të emetimeve të makinave dhe furgonëve të rinj nga 2035, qe do te thote qe nga ai moment nuk mund te shiten me makinat me benzine dhe nafte.

Pas kësaj, marrëveshja u konfirmua nga Parlamenti Evropian në seancën plenare të 14 shkurtit dhe mbeti vendimi përfundimtar i Këshillit që rregullorja të hyjë në fuqi.

Megjithatë, kohët e fundit kanë filluar të dëgjohen zëra kritikë, veçanërisht në Gjermani dhe Itali, dy vende anëtare me një industri shumë të fortë automobilistike, se afati i caktuar është tepër ambicioz dhe i parakohshëm.

Krahas Italisë dhe Gjermanisë, rezerva për këtë rregullore kanë edhe Polonia dhe Bullgaria. Nëse Gjermania do të kishte abstenuar dhe Italia kundërshtonte, nuk do të kishte vota të mjaftueshme në Këshill për një shumicë të cilësuar.

Një vendim në Këshill mund të merret nëse të paktën 15 nga 27 shtetet anëtare, të cilat kanë të paktën 65 për qind të popullsisë së BE-së, votojnë për të.

Nuk kishte shumicë bindëse as në Parlamentin Evropian. Për vendimin votuan 340 deputetë, kundër 279 dhe abstenuan 21.

Rregullorja u mbështet nga përfaqësues të socialdemokratëve, të gjelbërve dhe liberalëve.

Related Articles

Back to top button