Lajme

Analiza/Të burgosur dhe të helmuar, ku janë kundërshtarët e Putinit?

Presidenti rus, Vladimir Putin, tani e udhëheq Rusinë, pothuajse i pasfiduar. Shumë prej zërave kritikë, që dikur kanë folur kundër tij, janë detyruar të jetojnë në mërgim, të tjerë janë burgosur – me raste edhe janë vrarë.

Deri në kohën kur ka nisur lufta e Rusisë në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022, më shumë se dy dekada të shtypjes së disidentëve, e kanë zhdukur edhe opozitën në Rusi.

Në vitet e para të udhëheqësisë së Putinit, ai i ka fuqizuar oligarkët rusë – njerëz veçse të pasur, por edhe me ambicie politike.

Mikhail Khodorkovsky, dikur udhëheqës i gjigantit rus të naftës, Yukos, është arrestuar më 2003, dhe ka qëndruar 10 vjet në burg, për evazion fiskal dhe vjedhje, pas financimit të fushatave të partive opozitare.

Pas lirimit, ai është larguar nga Rusia. Boris Berezovsky, një tjetër oligark, që madje i ka ndihmuar Putinit të ngjitet në pushtet – ka vdekur në ekzil, më 2013, në Mbretëri të Bashkuar.

Është raportuar që ai ka bërë vetëvrasje. Me kalimin e kohës, të gjitha mediat kryesore në Rusi kanë rënë nën kontrollin shtetëror, apo e kanë ndjekur linjën e Kremlinit.

Aleksei Navalny

Deri më tani, figura më e njohur opozitare në Rusi është Aleksei Navalny, i cili e ka akuzuar Putinin nga burgu se po tenton të njollosë qindra mijëra njerëz me luftën e tij “kriminale, agresive”.

Në gusht të vitit 2020, Navalny është helmuar me Noviçok – agjent nervor i shkallës ushtarake – sa ka qenë në një udhëtim në Siberi.

Sulmi gati e ka vrarë atë, andaj është detyruar të shkojë në Gjermani për trajtim.

Kthimi i tij në Rusi, në janar të vitit 2021, i ka trimëruar për pak protestuesit, mirëpo ai është arrestuar më pas për mashtrime dhe përbuzje të gjykatës.

Aktualisht, ai përballet me nëntë vjet burgim.

Navalny është në fokus të dokumentarit që ka fituar çmim Oscar këtë vit në Shtetet e Bashkuara.

Në vitin 2010, dhe vitet pasuese, Navalny ka qenë shumë i përfshirë në marshet kundër Qeverisë dhe dokumentet që ai ka nxjerr në pah, janë shikuar miliona herë.

Më 2021, organizata e tij është shpallur ekstremiste, derisa vetë Navalny i ka konsideruar akuzat kundër tij si të motivuara politikisht.

Shumë prej ndihmësve të tij janë përballur me presion nga shërbimet e sigurisë, dhe disa edhe kanë ikur prej shtetit, përfshirë ish-krerët e Fondacionit Kundër-Korrupsionit: Ivan Zhdanov, Lyubov Sobol, si dhe plot udhëheqës tjerë të zyrave të organizatës së Navalnyt nëpër qytete të Rusisë.

Dora e djathtë e Navalnyt, Leonid Volkov është larguar nga Rusia, në momentin që kundër tij është iniciuar një rast më 2019.

Kundërshtarët e luftës

Një tjetër kundërshtar i Putinit mbrapa grilave është Ilya Yashin, i cili ka qenë kritik i madh i luftës së Rusisë.

Në një transmetim të drejtpërdrejtë në YouTube, në prill të vitit 2022, ai ka bërë thirrje për hetime rreth krimeve të mundshme të luftës, që mund të jenë kryer nga forcat ruse.

Ai e ka quajtur presidentin Putin “kasapin më të brutal në këtë luftë”.

Ai transmetim i drejtpërdrejtë i ka kushtuar Yashinit me tetë vjet e gjysmë burgim për shkelje të ligjit kundër përhapjes së “informacionit të rremë” për ushtrinë ruse.

Ligji është miratuar në Parlamentin rus, pak pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, më 24 shkurt 2022.

Yashin ka nisur të përfshihet në politikë në vitet 2000 – në moshën 17-vjeçare – kur Putini e ka marrë pushtetin.

Më 2017, pas disa vjetësh të aktivizimit opozitar, ai është zgjedhur udhëheqës i këshillit të distriktit Krasnoselksi në Moskë, ku ka vazhduar të kundërshtojë Kremlinin.

Më 2019, ai e ka kaluar më shumë se një muaj mbrapa grilave, për rolin e tij aktiv në protestat kundër refuzimit të autoriteteve për të regjistruar kandidatë opozitarë në zgjedhjet për Këshillin e qytetit të Moskës.

Aktivisti dhe gazetari i edukuar në Kembrixh, Vladimir Kara-Murza, është bërë dy herë viktimë e helmimeve të dyshimta, që kanë rezultuar me rënien e tij në koma – më 2015 dhe më pas më 2017.

Ai është arrestuar në prill të vitit 2022, pas kritikave që ka pasur për luftën e Rusisë në Ukrainë.

Kara-Murza është akuzuar për shpërndarje të “lajmeve të rreme” për ushtrinë ruse, për organizim të aktiviteteve të një “organizate të padëshirueshme” dhe tradhti të lartë.

Ai është dënuar me 25 vjet burgim më 17 prill 2023.

Kara-Murza është autor i shumë artikujve që kritikojnë Putinin, si në mediat ruse, ashtu edhe në ato perëndimore, dhe më 2011 ka udhëhequr përpjekjet për miratim të sanksioneve perëndimore, që shënjestrojnë abuzuesit e të drejtave të njeriut në Rusi.

Këto sanksione, të vendosura nga shtetet e Perëndimit njihen si Akti Magnitsky, sipas avokatit Sergei Magnitsky, i cili ka vdekur në burgjet ruse më 2009, pas supozimeve për mashtrime.

Lufta për demokraci

Kara-Murza mund të përballet me dënim të gjatë, mirëpo të paktën është gjallë, për dallim prej shokut të tij të ngushtë, Boris Nemtsov.

Para epokës së Putinit, Nemtsov ka shërbyer si guvernator i rajonit Nizhny Novogorod, si ministër i Energjisë, më pas si zëvendëskryeministër, si dhe ka qenë i zgjedhur edhe në Parlamentin e Rusisë.

Më vonë, ai është kthyer në kritik të ashpër të Kremlinit, dhe ka publikuar disa materiale kritike ndaj Putinit, të cilat kanë nxitur një mori marshesh kundër tij.

Më 27 shkurt 2015, Nemtsov është qëlluar katër herë me armë zjarri, sa ka qenë duke e kaluar një urë jashtë Kremlinit, vetëm disa orë pasi ka bërë thirrje për mbështetje për një marsh kundër Putinit, para se ai të niste konfliktin në Ukrainë, më 2014.

Pesë burra me origjinë çeçene janë dënuar për vrasjen e Nemtsovit, mirëpo ende nuk dihet se kush e ka urdhëruar vrasjen dhe pse.

Shtatë vjet pas vdekjes, një hulumtim ka nxjerrë në pah të dhëna se disa muaj para vrasjes, Nemtsov është përndjekur në Rusi nga një agjent qeveritar, i lidhur me një bandë sekrete vrasësish.

Këto figura kyçe opozitare janë vetëm disa prej rusëve tjerë, që janë shënjestruar pse kanë shfaqur publikisht pakënaqësi.

Prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, vitin e kaluar, edhe mediat e pavarura në Rusi janë përballur me kufizime dhe kërcënime.

Kanali rus, Shiu, e ka bartur transmetimin tërësisht jashtë shtetit. Gazeta Novaya mbetet ende në Moskë, mirëpo nuk e shtyp më gazetën.

Mediat tjera sikurse radioja Ekho janë mbyllur nga autoritetet. Ndërkohë, komentatorë pafund janë larguar nga shteti, pasi disa prej tyre edhe janë shpallur “agjentë të huaj”.

Vladimir Putinit i janë dashur më shumë se dy dekada për të siguruar që nuk ka kundërshtarë të pushtetit të tij. Nëse ky ka qenë plani i tij, atëherë ai ka pasur sukses.

Related Articles

Back to top button