Ardita Sinani uron fitër bajramin
Të nderuar qytetarë të Luginës së Preshevës,
Të dashura motra e vëllezër musliman kudo që jeni,
Sonte me iftarin e fundit po e përfundojmë Ramazanin e këtij viti. Në këtë muaj të shenjtë me sakrificën tonë, duke u privuar nga ushqimi e pija, sfiduam psiqikisht e fizikisht veten.
Dëshmuam për një muaj rrjesht nga imsaku e në iftar forcën e mendjes mbi trupin.
Me të vetmin qëllim. Arritjen e kënaqësisë shpirtërore si dhe për të përmbushur urdhërin e Krijuesit.
Gjatë këtij muaji, stomakun e zbrazët e plogështinë e trupit për një periudhë të caktuar, e shoqëruam me shpirtin e mbushur nga mirësia e mirësjellja, veprat e mira e dashuria për njëri tjetrin.
E në Islam, pas çdo sakrifice vjen shpërblimi. Vjen gëzimi e festa.
Festa e Fitër Bajramit.
Njëra nga dy festat kryesore për muslimanët anekënd botës.
Të festojmë duke shumëfishuar lumturinë e duke e ndarë me të tjerët.
Le të urojmë më të mirën për njëri-tjetrin, për më të dashurit tanë, për kombin tonë.
Le të ndajmë sado pak nga sofrat tona të Bajramit për një shtresë që jeta i ka sfiduar me varfëri e skamje.
Uroj që reflektimet nga muaji që po e lëmë pas të na shërbejnë e të na kthehen në praktikë të përditshme përgjatë tërë vitit.
Qoftë festa e Fitër Bajramit gëzim për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë!
ME FAT!