Lajme

Dialogu/ Kurti dhe Vuçiq takohen sërish sot në Bruksel! Do të diskutohet për të pagjeturit dhe asociacionin

Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak, ka vlerësuar se takimi i sotëm në Bruksel, në kuadër të dialogut do të ketë rëndësi të veçantë.

Lajçak ka thënë se është takuar me kryeministrin Albin Kurti, në Forumin Ekonomik në Delphi, për t’u përgatitur në detaje për takimin e ardhshëm në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd më 2 maj.
Në qendër të diskutimeve në takimit do të jetë çështja e të pagjeturve si dhe ngritja e asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Nga Forumin Ekonomik të Delfit në Greqi Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka këmbëngulur se nuk do të lejojë krijimin e ndonjë forme të Republikës Srpskas në veri të Kosovës. Kurti tha se është në dijeni se do pritet të prezantohet draft-statuti i Asociacionit, por thekson se ende nuk ka asnjë informacion konkret.
Kurti dhe Vuçiç janë takuar për herë të fundit në Ohër, më 19 mars, kur edhe janë pajtuar gojarisht për zbatimin e asaj që njihet si Marrëveshje Bazë, e që duhet të çojë drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Por, pas këtij takimi, palët i kanë interpretuar ndryshe-ndryshe detyrimet e tyre, ndërkohë që BE-ja ka theksuar se ato obligohen që t’i zbatojnë të gjitha pikat e marrëveshjes. Dështimi për t’i zbatuar ato, do të ketë pasoja, ka paralajmëruar BE-ja.

Zyrtarë të BE-së kanë konfirmuar se në agjendën e takimit të sotëm pritet të jenë dy çështje kryesore: miratimi i Deklaratës për të Zhdukurit dhe paraqitja e draftit të parë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Pas këtyre dy temave do të shihet se sa mund të diskutohet edhe për çështje të tjera”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

BE-ja i ka shmangur përgjigjet në pyetjet e gazetarëve rreth shkeljes së mundshme të marrëveshjes që ka bërë Serbia, duke votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

BE-ja vetëm ka përsëritur se palët “duhet të përmbahen nga deklaratat dhe veprimet që keqësojnë situatën dhe atmosferën për përparimin e dialogut“.

“Ne presim që palët të jenë të përkushtuara për t’i zbatuar obligimet”, ka thënë Stano.
Marrëveshja Bazë nuk parasheh njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, por kërkon prej tyre që të mos e pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese.

Ajo, po ashtu, kërkon nga të dyja palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, i cili ka nisur qysh nga viti 2011.

Marrëveshja, e cila është njohur më herët edhe si propozimi evropian, ka edhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.

Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka biseduar javën e kaluar edhe me Kurtin, edhe me Vuçiqin në lidhje me takimin e sotëm dhe ka shfaqur shpresën se palët do të jenë konstruktive.

Related Articles

Back to top button