Shqiprim Arifi porosit Kurtin, “Me Amerikë nuk ka lojë!”
Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi e ka dënuar ashpër dhunën ndaj gazetarëve, personave dhe institucioneve publike, si dhe pjesëtarëve të forcave paqeruajtëse të KFOR-it.
Ai përmes një video ka deklaruar se është e rëndësishme dhe jetike që të kemi një Republikë të Kosovës e cila ka sovranitet të shtrirë në të gjithë territorin e saj, teksa ka thënë se me Amerikën nuk ka lojë.
“Është e rëndësishme dhe jetike që të kemi një Republikë të Kosovës e cila ka një sovranitet të shtrirë në gjithë territorin e saj, por kjo arrihet vetëm me sinkronizim dhe koordinim me aleatët dhe miqtë tanë ndërkombëtarë, sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Arifi.
Ai i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që “me përkushtimin më të thellë të ruajë marrëdhëniet e ndërtuara me dekada me miqtë tanë ndërkombëtarë”.
“Me Amerikë nuk ka lojë!”, shtoi ai.