Mashtruesit që premtojnë para me email: Arrestohet nigeriani që i mori 25 mijë euro një shqiptari
Ka shumë vite që janë bërë të famshme emailet apo mesazhet në rrjetet sociale ku njerëz të panjohur mashtrojnë, duke premtuar para dhe kërkojnë transferta si trampolinë për të vijuar transaksionin.
Janë me mijëra denoncimet ne organet shqiptare të bëra ndër vite nga njerëz që kanë rënë pre e grackës së personave që përgjithësisht kanë adresa nga Afrike. Prokuroria e Tiranës ka arritur të arrestojë një nigerian me banim në Irlandë që ka mashtruar një biznesmen shqiptar.
Njoftimi i Prokurorisë:
Në përfundim të një hetimi dy vjeçar, Prokuroria Pranë Gjykatës Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kërkoi masën e sigurisë ‘Arrest me burg’ për shtetasin nigerian S.N., me vendbanim në Dublin për Veprën Penale “Mashtrimi Kompjuterik”.
Gjatë aktivitetit të tij ndër vite ai komunikonte me palën italiane nëpërmjet e-mailit me qendër në Bolonja, Itali ku dhe bënte transferta për mallin që merrte. Në datën 07.09.2020 i vjen një e-mail ku i kërkohej të dërgonte shumën prej 25.000 euro në llogari të kompanisë po tashmë jo në Itali po në Gjermani.
Kallëzuesi nuk e konstatoi që trasferta e eurove nga Italia duhet të dërgoheshin në Gjermani duke kryer pagesën dhe vetëm kur pala italiane kërkoi pagesën kuptoi mashtrimin.
Në vazhdim të hetimeve paraprake iu dërguan letër porosi për ndihmë gjyqësore autoriteteve gjyqësore në Republikën e Gjermanisë dhe Republikën e Turqisë për të identifikuar IP-në me të dhënat përkatëse.
Me mbërritjen e letërporosive u identifikua se autori i mashtrimit dhe përfituesi i 25.000 eurove ishte shtetasi nigerian S. N., lindur në Ëarri, Nigeri dhe banues në Dublin, Irlandë.
Hetimet provuan se ky shtetas ka kryer aktivitetin kriminal të “Mashtrimi kompjuterik” parashikuar nga nenet 143/b/3 i K.Penal duke i përvetësuar viktimës, shtetasit E. B. shumën prej 25.000 eurosh.
Për këto arsye, bazuar dhe në nenet 287/1 e 315 të Kodit të Proçedurës Penale u kërkua në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë masa e sigurisë ‘Arrest në burg’ në mungesë, kërkesë e cila u miratua nga Gjykata.