Ministria e Jashtme e Kosovës thirrje bashkatdhetarëve: Shmangni kalimin nëpër Serbi
Ministria e Jashtme e Kosovës u ka bërë thirrje emigrantëve që kthehen në atdhe të shmangin kalimin nëpër Serbi për shkak të situatës së tensionuar politike.
Përmes një njoftimi zyrtar, Ministria për Punët e Jashtme dhe Diasporën u bëri thirrje shtetasve kosovarë që të përdorin pika të tjera kufitare për qarkullim deri në një njoftim të dytë.
“Informacion i rëndësishëm për të gjithë ata që janë duke udhëtuar drejt Kosovës.
Ju lutemi, ndiqni me vëmendje situatën e tensionuar të sigurisë dhe mos udhëtoni përmes Serbisë.
Të gjithë bashkatdhetarët dhe qytetarët që janë në lëvizje njoftohen të shfrytëzojnë pika të tjera kufitare për qarkullim deri në një informim tjetër zyrtar nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës. Duke marrë parasysh faktin që në qarkullim janë shumë lajme të rreme, të cilat synojnë përhapjen e frikës dhe kaosit, ju lutemi të ndiqni @Kosovo_Police rreth përditësimeve më të fundit zyrtare në këtë drejtim”- thuhet në njoftimin zyrtar.