Kryetari i Preshevës mori pjesë në Samitin Urban të Brukselit
Kryetari i Presheves, Shqiprim Arifi, ka marrë pjesë në Samitin Urban të Brukselit të organizuar nga rajoni i Brukselit, Metropolis, Eurocities – rrjeti i qyteteve të mëdha evropiane dhe OECD.
Samiti i BUS-it mblodhi së bashku tre konferenca ndërkombëtare, përkatësisht Kongresin e 14-të Botëror të Metropolit, Konferencën vjetore të Eurocities dhe Samitin e iniciativës së OECD-së të kryetarëve të bashkive për rritje gjithëpërfshirëse.
Përfaqësues të qindra qyteteve në mbarë botën morën pjesë, gjë që, thanë ata, ishte një mundësi e mirë për të shkëmbyer përvoja dhe ide për zgjidhje më të qëndrueshme, më të aksesueshme dhe gjithëpërfshirëse për qytetet, të cilat mund të kontribuojnë në kushte më të mira jetese.
Në disa ngjarje të veçanta, të organizuara nën ombrellën e temës “Përgjigjet Urbane ndaj Sfidave Globale”, thanë ata, folën për sfidat e përbashkëta me të cilat përballen qytetet e mëdha, të cilat kanë të bëjnë me ndryshimet klimatike, migrimin, rritjen e shpejtë urbane dhe pabarazinë.
“Në Bruksel, gjatë takimit të Samitit Urban, bashkë me kryetarët e qyteteve nga mbarë bota, diskutuam se si mund të përmirësojmë kapacitetin e qyteteve për të luajtur një rol në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare, e gjithashtu të shikojmë se si të zhbllokohet potenciali i plotë i qyteteve në arenën ndërkombëtare, lidhja e tyre me demokracinë, paqen dhe përgjigjet që lidhen me ndryshimet klimatike dhe barazinë sociale.” ka shkruar Arifi ne rrjetin social facebook.
Siç raportohet, Arifi pati takime edhe me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, me të cilët diskutuan për modelet e mundshme të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave.